Heqja e qimeve të hundës mund të jetë kërcënim për jetën

  • G.G /
  • 06 August 2022 - 16:37
Heqja e qimeve të hundës mund të jetë kërcënim për jetën

Heqja e qimeve të hundës është bërë shumë e shpeshtë, sidomos me videot që po publikohen në rrjetet sociale TikTok dhe Instagram, të cilat po grumbullojnë miliona shikime.

Depilimi i hundës zakonisht po bëhet me dyll, i cili futet në vrimën e hundës dhe duhet të ngurtësohet dhe me t’u hequr aplikuesi, hiqen edhe qimet.

Meshkujt kanë më shumë gjasa të kenë qime që dalin në hundë, por gratë i heqin më shpesh ato.

Mjeku Karan Raj ka dalë kundër këtij trendi të fundit të bukurisë, duke treguar pse nuk duhet të hiqen me rrënjë qimet e hundës.

Sipas tij, ky veprim mund të çojë në një infeksion kërcënues për trurin, shkruan The Sun.

“Aty ka cilia mikroskopike, të cilat filtrojnë mukozën dhe e dërgojnë atë në pjesën e pasme të fytit, ku përfundon në stomak. Nëse qimet e hundës hiqen, mikrobet rreth folikulit mund të futen brenda duke shkaktuar infeksion”, është shprehur ai.

Ai tha se heqja e këtyre qimeve mund të ketë pasoja të mëdha për shkak të atij që quhet “trekëndëshi i  rrezikut”, që është një pjesë e fytyrës nga hunda në çdo cep të gojës.

Kjo pjesë konsiderohet si një zonë e rrezikshme për të marrë një infeksion, njëjtë mund të ndodhë edhe me shpimin e hundës ose edhe puçrrave që dalin aty.

(Kosova Sot Online)