Kosi mund të zvogëloj rrezikun e këtij lloji kanceri

  • E.K /
  • 14 November 2022 - 09:54
Kosi mund të zvogëloj rrezikun e këtij lloji kanceri

Tashmë dihet mirë se kanceri i mushkërive nuk prek vetëm duhanpirësit, por edhe personat që nuk kanë pirë kurrë duhan. Megjithatë, një hulumtim i ri tregon të dhëna interesante për të reduktuar riskun e këtij kanceri. Studimi tregoi se ekziston një lidhje mes konsumimit të kosit dhe zvogëlimit të rrezikut të kancerit të mushkërive, shkruan Reader’s Digest.

Bazuar në analizën e gjithsej dhjetë studimeve nga Evropa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Azia, ku përfshiheshin rreth 1.4 milionë njerëz, shkencëtarët zbuluan se ngrënia e shpeshtë e kosit dhe fibrave lidhet me një ulje të ndjeshme të rrezikut të kancerit të mushkërive.

Gjegjësisht, meshkujt që hanin rreth 85 gram kos çdo ditë dhe femrat që hanin rreth 113 gram kishin 19 për qind më pak rrezik për t’u prekur nga kanceri i mushkërive, gjë që dëshmon se edhe konsumimi i sasive të vogla të kosit mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjes.

Edhe pse ky hulumtim është premtues, ekspertët theksojnë gjithashtu se nevojiten më shumë analiza sepse provat për një lidhje midis kosit dhe fibrave dhe kancerit të mushkërive janë të kufizuara. Megjithatë, ngrënia e kosit sigurisht që ka përfitime shëndetësore, sepse ky ushqim është i pasur me kalcium, vitamina B, vitaminë D dhe shumë lëndë të tjera ushqyese.

Nutricionistët rekomandojnë veçanërisht konsumimin e kosit me yndyrë të plotë me probiotikë dhe fruta të freskëta si një mëngjes të shijshëm.

(Kosova Sot Online)