Kujdes, vlerat e presionit të gjakut ndryshojnë gjatë ditës, por jo çdo ndryshim është normal

  • S.A /
  • 29 June 2023 - 10:55
Kujdes, vlerat e presionit të gjakut ndryshojnë gjatë ditës, por jo çdo ndryshim është normal

Lëvizja e parregullt e vlerave të presionit brenda 24 orëve mund të jetë një paralajmërim për një mënyrë jetese jo të shëndetshme, por mund të jetë edhe simptomë e sëmundjeve të rënda, transmeton "Kosova Sot Online ".

Ata që matin rregullisht tensionin e gjakut, shpesh regjistrojnë vlera të ndryshme në mëngjes dhe në mbrëmje. Por kjo është krejtësisht normale, paralajmërojnë mjekët e klinikës së famshme “Mayo”.

Vlerat e presionit të gjakut lëvizin brenda një dite në një model të parashikueshëm. Zakonisht presioni i gjakut fillon të rritet disa orë para zgjimit dhe rritja duhet të vërehet edhe gjatë mëngjesit, ndërsa kulmi duhet të vërehet rreth mesditës.

Është krejtësisht normale që presioni të bjerë gjatë pasdites dhe mbrëmjes dhe është edhe më i ulët gjatë gjumit, transmeton Telegrafi.

Dinamika e çrregulluar e presionit të gjakut mund të njihet nga këto shenja:

▪ Presioni i lartë i gjakut gjatë natës
▪ Tensioni i lartë i gjakut herët në mëngjes
▪ Ulje shumë e vogël e presionit gjatë natës (më pak se 10 për qind, i ashtuquajturi
nondipping)

Rritja e presionit të gjakut gjatë natës dhe herët në mëngjes shoqërohet me një rrezik të shtuar të sëmundjeve të zemrës. Përveç kësaj, presioni jonormal i gjakut mund të tregojë gjithashtu këto gjendje:

▪ Presion i kontrolluar keq
▪ Apnea
▪ Sëmundjet e veshkave
▪ Diabeti
▪ Sëmundjet e tiroides
▪ Çrregullime të sistemit nervor

Ushqimi i dobët, mungesa e aktivitetit fizik dhe disa stile jetese mund të ndikojnë në devijimet në dinamikën e presionit të gjakut. Këto janë:

▪ Puna e natës
▪ Pirja e duhanit
▪ Obeziteti
▪ Stresi dhe ankthi
▪ Presioni i lartë i gjakut i patrajtuar, apnea e patrajtuar

Pasi të keni matur rregullisht presionin për një kohë dhe keni parë që vlerat lëvizin, mjeku juaj duhet të përcaktojë nëse keni nevojë për trajtim. Ndonjëherë, presioni i gjakut rritet kur pacienti shkon te mjeku.

Lëvizja më e saktë e presionit gjatë ditës mund të përcaktohet me një holter që pacienti mban për 24 orë, gjatë së cilës presioni matet dhe regjistrohet automatikisht në intervale të rregullta. 

(Kosova Sot Online )