Shkencëtarët gjejnë gjene të reja të lidhura me rrezikun e kancerit të gjirit

  • A.P /
  • 18 August 2023 - 14:31
Shkencëtarët gjejnë gjene të reja të lidhura me rrezikun e kancerit të gjirit

Shkencëtarët kanë gjetur katër gjene të tjera që rrisin rrezikun e kancerit të gjirit, sipas një studimi.

Ata thonë se ekzaminimi mund të zbulojë më shumë gra në rrezik duke kontrolluar për më shumë shenja paralajmëruese në ADN, raporton “The Sun”.

Testet gjenetike aktuale fokusohen shumë në gjenet BRCA “Jolie”, të quajtur sipas aktores Angelina Jolie, sepse ajo mbart një të tillë.

 

Një ekip që përfshin studiues të Universitetit të Kembrixhit thotë se ata gjetën të paktën katër gjene të tjera me rrezik të lartë gjatë skanimit të ADN-së së 243,00 grave.

 

Kanceri i gjirit është lloji më i zakonshëm i tumorit në Britani, duke prekur 56,000 gra në vit.

Profesor Jacques Simard, nga Universiteti Laval në Quebec, Kanada, tha: “Edhe pse shumica e varianteve të identifikuara në këto gjene të reja janë të rralla, rreziqet mund të jenë të rëndësishme për gratë që i bartin ato”.

“Për shembull, ndryshimet në një nga gjenet e reja, MAP3K1, duket se shkaktojnë një rrezik veçanërisht të lartë të kancerit të gjirit”.

Cancer Research UK, thotë se vetëm 23 për qind e kancereve të gjirit mund të parandalohen, duke qëndruar të dobët në peshë, duke reduktuar konsumin e alkoolit, me mos pirjen e duhanit dhe ushqyerjen me gji që dihet se zvogëlojnë rrezikun.

Gjenetika e disa grave do t’i bëjë ato shumë më të prira për të zhvilluar sëmundjen. Studimi i ri, i botuar në revistën “Nature Genetics”, krahasoi ADN-në e 26,000 grave me kancer gjiri dhe 217,000 grave pa të. Ai tregoi se mutacionet e gjeneve të quajtura MAP3K1, LZTR1, ATR dhe BARD1 u gjetën më shpesh tek gratë me kancer.

Edhe pse ato nuk mund të kurohen, gratë që i mbajnë ato mund të testohen më shpesh për të kapur tumoret herët, ose t’u ofrohen operacione parandaluese ose këshilla për të zvogëluar rrezikun e tyre në mënyra të tjera.

(Kosova Sot Online)