Ushqimet, të cilat ju mbajnë të ngopur për një kohë më të gjatë

  • E.K /
  • 13 January 2024 - 13:25
Ushqimet, të cilat ju mbajnë të ngopur për një kohë më të gjatë

Në një kohë, kur gjithnjë e më shumë njerëz kanë problem me mbipeshë, uria është një ndjenjë, së cilës duam t’i ikim me çdo kusht. Ja cilat ushqime na mbajnë më gjatë të ngopur.

Mollët

Nëse rreth gjysmë ore para buke e hani një mollë, atëherë me siguri se do të hani më pak. Fibrat dhe lëngu i mollës e mbushin lukthin, kurse pektina e mollës parandalon ndalimet e shpejta të sheqerit në gjak, gjë që shkakton ndjenjën e urisë. Më mirë është që ta hani një mollë të tërë, sesa të pini lëng mollësh. Nëse është e mundshme, hani mollë organike dhe lani sa më mirë ato para se t’i hani, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Qulli i tërshërës

Qulli i tërshërës është një burim i shkëlqyeshëm i fibrave, gjë që bën që ai të na mbajë të ngopur për një kohë më të gjatë. Përpos kësaj, ai përmban edhe proteina dhe është i varfër në yndyrë. Më mirë është që të hani qull tërshëre, të përgatitur në shtëpi, sesa cereale të tërshërës. Me rastin e përgatitjes së tij përdorni qumësht me pak yndyrë.

Kosi

Duke qenë një burim i mrekullueshëm i proteinave, kosi na ndihmon që të ndihemi më të ngopur. Ai po ashtu përmban edhe kalcium, derisa sasia e sheqerit në të është e ulët. Aty janë edhe probiotikët, të cilët janë shumë të dobishëm për shëndet. Kosin mund ta kombinoni me pemë të thara, apo me arra. Mund ta kombinoni për kafjall, apo edhe për drekë.

Fasulet dhe bishtajat e tjera

Fasulet dhe bishtajat e tjera kanë pak kalori, por janë të pasura me fibra dhe proteina. Kështu, ato na ndihmojnë që të jemi të ngopur për një kohë më të gjatë. Ato janë përzgjedhje e mirë për vegjetarianët. Konsumimi i tyre ndihmon në humbjen e kileve të tepërta. Mund t’i përgatisni si gjellë, apo në formë të sallatave.

Bajamet

Bajamet janë një ushqim tjetër, i cili na “mbush” dhe na ndihmon në kontrollimin e apetitit. Për më tepër, ato e ulin edhe kolesterolin e keq dhe parandalojnë rritjet dhe uljet e shpejta të nivelit të sheqerit në gjak. Një studim i bërë në vitin 2013 ka treguar se bajamet parandalojnë shtimin në peshë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Vezët

Konsumimi i 1 ose 2 vezëve për kafjall po ashtu na ndihmon në largimin efikas të urisë dhe të rrimë të ngopur deri në drekë. Vetitë ngopëse të vezëve vijnë nga proteinat e kualitetit të lartë dhe yndyra e tyre, e cila ofron burim të mirë të energjisë. Vezët përmbajnë të gjitha aminoacidet e nevojshme. Mund ta bëni p.sh. një omëletë me spinaq, apo mund t’i zieni vezët për kafjall.

(Kosova Sot Online)