A i dëmton dhëmbët shpëlarja e gojës me ujë pas larjes me pastë?

  • A.P /
  • 21 May 2025 - 08:15
A i dëmton dhëmbët shpëlarja e gojës me ujë pas larjes me pastë?

Një zakon i përhapur që shumica prej nesh ndjekin pas larjes së dhëmbëve  si shpëlarja e gojës me ujë, mund të jetë më i dëmshëm sesa mendohet.

Sipas dentistëve, kjo praktikë redukton ndjeshëm efektin mbrojtës të pastës së dhëmbëve, duke rritur rrezikun për prishjen e tyre.

 

Dr. Arash Ravanbakhsh, dentisti kanadez që foli për ‘New York Post’, shpjegon se shpëlarja e gojës me ujë largon fluorin, përbërësin kyç të pastës që mbron dhëmbët nga kariesi.

“Fluori është jashtëzakonisht efektiv në parandalimin e dëmtimit të dhëmbëve. Është konsideruar si një nga arritjet më të mëdha të shëndetit publik në shekullin e kaluar”, thekson mjeku.

Përforcimi i këtij qëndrimi vjen edhe nga ekspertët e Universitetit të Dundee-s, Clement Seeballuck dhe Nicola Innes.

Ata theksojnë se gjatë natës, trupi prodhon më pak pështymë, faktor që e bën gojën më të ndjeshme ndaj sulmeve acidike dhe bakterieve. Për këtë arsye, mbajtja e fluorit në sipërfaqen e dhëmbëve gjatë natës është thelbësore për ruajtjen e shëndetit oral.

Në vend që të shpëlani gojën me ujë, dentistët këshillojnë që pas larjes së dhëmbëve, thjesht ta pështyni pastën pa e shpëlarë.

Kjo lejon që fluori të mbetet në smaltin e dhëmbëve dhe të vazhdojë të veprojë, madje ul ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e kariesit, deri në 25% më pak raste sipas disa studimeve

(Kosova Sot Online)