Më e mirë kafeja e nxehtë apo e ftohtë!

  • A.P /
  • 24 July 2025 - 08:03
Më e mirë kafeja e nxehtë apo e ftohtë!

Në mëngjesin e verës, për shumë njerëz, kafeja mbetet zgjedhja e parë për të nisur ditën me energji. Përtej efektit të saj zgjues, ajo sjell edhe ato ritualet e vogla që na bëjnë të ndihemi mirë  qoftë për një pushim të shkurtër, qoftë për një takim me miqtë në një lokal me hije.

Një studim i fundit tregon se pirja e kafesë mund të nxisë ndjenjat e lumturisë, mirësisë dhe miqësisë. Përveç kësaj, kokrrat e kafesë janë të pasura me vitamina B, kalium, riboflavin dhe komponime të ndryshme bimore, ndërsa përbëjnë edhe një burim të rëndësishëm të antioksidantëve.

 

Në verë, zgjidhja më e mirë është kafeja e ftohtë. Jo vetëm që freskon në vapën e ditës, por është gjithashtu më e butë për sistemin e tretjes. Kafeja e ftohtë ka një aciditet më të ulët, çka e bën më të përshtatshme për ata që vuajnë nga refluksi apo probleme të tjera të stomakut.

Megjithëse pH i kafesë së ftohtë dhe asaj të nxehtë është i ngjashëm (nga 4.85 në 5.13), mënyra e përgatitjes ndikon në përbërjen kimike dhe ndjesinë që lë në trup. Prandaj, nëse gjatë verës ndiheni më të ndjeshëm nga kafeja e zakonshme, një kafe e ftohtë “cold brew” mund të jetë zgjidhja ideale.

(Kosova Sot Online)