
Lexoni edhe:
Nëna e Shpatit reagon për herë të parë: Ai ishte gjysma e shpirtit tim, le të prehet në paqe
Kur blini fruta dhe perime në supermarketet britanike, ato mund të përmbajnë një koktej të rrezikshëm pesticidesh, zbulon një raport i ri.
Ekspertët e organizatës jofitimprurëse Pesticide Action Network UK (PAN UK) kanë analizuar të dhënat e qeverisë britanike mbi mbetjet kimike në produktet bujqësore.
Rezultatet nxjerrin në pah listën e famshme “Dirty Dozen” – 12 frutat dhe perimet më të ndotura me pesticide, mes tyre grejpfruti, rrushi dhe limet.
Në total, një e katërta e perimeve dhe tre të katërtat e frutave përmbajnë më shumë se një lloj pesticidi – çka zyrtarisht quhet “koktej kimik”.
Nick Mole, ekspert i politikave në PAN UK, paralajmëron se ushqimi ynë “po kontaminohet gjithnjë e më shumë” dhe kjo mund të dëmtojë shëndetin në afatgjatë, duke përfshirë rrezikun e kancerit.
“Sasia e sigurt e pesticideve llogaritet për secilin kimikat më vete, pa marrë parasysh faktin se shumica e ushqimeve përmbajnë shumë kimikate njëkohësisht,” thotë ai.
“E vërteta është se dimë shumë pak për mënyrën se si këto substanca ndërveprojnë me njëra-tjetrën, apo çfarë ndikimi ka ekspozimi afatgjatë ndaj tyre në shëndetin tonë.”
Njihet si “efekti koktej”: disa pesticide bëhen edhe më toksike kur kombinohen.
Gjetjet kryesore: 123 kimikate, përfshirë 42 me lidhje me kancerin
Nën një program kontrolli që funksionon prej dekadash, qeveria teston rreth 3,000 kg ushqime çdo vit, të blera nga supermarkete dhe burime të tjera. PAN UK analizon raportet përfundimtare.
Nga testimet e këtij viti rezultuan:
123 kimikate të ndryshme në 17 lloje frutash e perimesh
42 pesticide të lidhura me kancerin
21 kimikate që dëmtojnë hormonet, duke shkaktuar rreziqe për zhvillimin fetal, problemet riprodhuese dhe çrregullimet hormonale
Produktet më të ndotura të vitit:
Grapefruit doli produkti më i kontaminuar – 99% e mostrave kishin mbetje të shumëfishta pesticidesh (120 nga 121 mostra).
Ndjekin:
Rrush – 89.8%
Lime – 79%
Banane – 67%
Speca – 49%
Pjeprat – 46%
Fasulet – 37.5%
Specat djegës – 37.5%
Një mostër rrushi nga Turqia përmbante mbetje nga 16 pesticide të ndryshme — një rekord shqetësues.
“Dirty Dozen” paraqet 12 më të ndoturit, por edhe nga pesë produktet e mbetura, katër kishin mbetje të shumëfishta: patatet, perimet rrënjore speciale, xhinxher dhe hudhra.
E vetmja perime pa mbetje të shumëfishta ishte panxhari (vetëm tre mostra kishin nga një mbetje).
Pesticidet më të rrezikshme të zbuluara
Organizata identifikoi edhe pesticidet me rrezik më të lartë (HHPs) – substanca të njohura për rrezik të lartë akut apo kronik ndaj shëndetit dhe mjedisit.
Më të shpeshtat ishin dy fungicide:
Imazalil
Thiabendazole
Të dy dyshohen si disruptorë endokrinë dhe kanë lidhje të mundshme me kancerin.
U gjetën në 9% të të gjitha mostrave, kryesisht në fruta si grejpfruti, bananet dhe pjeprat.
Edhe buka e kontaminuar: 47% me koktej pesticidesh
Nga 216 mostra buke:
47% përmbanin përzierje pesticidesh
Chlormequat, një toksinë zhvillimore, u gjet në 97% të mostrave
Glyphosate, herbicidi më i përdorur në MB dhe i lidhur me kancerin, u zbulua në 28% të mostrave
Alarmante është fakti që 29% e pesticideve të zbuluara nuk janë të aprovuara për përdorim nga fermerët britanikë, shpesh për shkak të rreziqeve të tyre.
Megjithatë, ato përfundojnë në ushqimin e importuar nga vende jashtë BE-së, ku kimikatet e ndaluara ende përdoren.
Çfarë kërkon PAN UK?
Organizata i bën thirrje qeverisë britanike që të:
mbështesë fermerët vendas për reduktimin e pesticideve
investojë në alternativa jo-kimike
heqë gradualisht pesticidet me rrezik të lartë
ndalojë importin e produkteve të trajtuara me kimikate të ndaluara në MB
“Meqenëse rreziku është kaq i madh, qeveria duhet të bëjë gjithçka për të hequr pesticidet nga ushqimi ynë”, thotë Mole.
Publikut i rekomandohet të blejë sa më shumë produkte vendase dhe, kur është e mundur, organic.
Duhet t’i lajmë frutat dhe perimet? Po — dhe ja pse
Po, larja e frutave dhe perimeve është thelbësore për të hequr mbetjet e pesticideve dhe ndotësve të tjerë.
Arsyet kryesore:
produktet ekspozohen ndaj pluhurit, tokës dhe baktereve gjatë magazinimit dhe transportit
moslarja mund të shkaktojë helmime ushqimore, përfshirë infeksione si E.coli
bakteret shpesh ndodhen në tokën e ngjitur me produktet
NHS këshillon larjen e frutave dhe perimeve me ujë të rrjedhshëm.
Food Standards Agency shton se larja nuk i eliminon plotësisht mbetjet, por i redukton ato.
Qërimi mund të jetë më efektiv, por heq fibra dhe vitamina të rëndësishme si vitamina C.
Organizata Friends of the Earth rekomandon konsumin e frutave dhe perimeve organike si metoda më e mirë për shmangien e pesticideve.
(Kosova Sot Online)