Liria, me superpërforcime
Superliga e Kosovës në futboll sivjet duket se do të jetë shumë interesant. Kjo për faktin se klubet e Superligës me të madhe janë duke u përforcuar, në mënyrë që të jenë sa më konkurrente në luftë për objektivat e tyre. Tashmë shumë skuadra kanë nisur me përforcime, derisa kohët e fundit sikur ka shpërthyer edhe Liria, e cila pas angazhimit të trajnerit të mirënjohur, Ramiz Krasniqi, ka nisur të sjellë edhe lojtarë cilësorë, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".
Ekipi bardhezi në edicionin e ri do të futet me tre emra të rinj, të cilët njihen shumë mirë në futbollin kosovar. I pari është qendërmbrojtësi me përvojë, ish-kapiteni i Dritës, Erdin Hashani, derisa në Prizren do të zbarkojë edhe mesfushori i Prishtinës, Durim Gashi.
Liria nuk e ka ndalur “peshkimit” te Drita, ku pas Hashanit do t’ia rrëmbejë edhe sulmuesin Alban Shillova, i cili njihet për cilësitë shumë të mira të tij dhe pa dyshim vlerësohet si një prurje e madhe në Prizren.
Edicionin e kaluar Liria pati jo pak telashe në sigurimin e ekzistencës dhe për të mos ndodhur kjo edhe sivjet, ajo ka vendosur të sjellë lojtarë me përvojë në ekip.
(Kosova Sot)