Trepça në gjendje të rëndë

  • 08 November 2017 - 09:07
Trepça në gjendje të rëndë

MITROVICASIT JANË NË VENDIN E FUNDIT NË TABELË

Një fitore e shtatë humbje nga tetë ndeshje të zhvilluara 

Skuadra e Trepçës po lufton për atë që nuk është mësuar më parë. Mitrovicasit janë në vendin e fundit në tabelë me vetëm një fitore dhe shtatë humbje, por besojnë se do të këndellen dhe mbijetesa në elitën e basketbollit nuk do të jetë problem. Ardhja e dy amerikanëve pritet t'iu ndihmojë shumë në vazhdim të garave

Njëra nga skuadrat që po e përjeton krizën më së rëndi në basketbollin e Kosovës është Trepça e Mitrovicës. 'Xehetarët' dikur luftonin për trofe, kurse tani janë në vendin e fundit në renditje me vetëm një fitore dhe shtatë humbje nga tetë ndeshje të zhvilluara në elitën e basketbollit të Kosovës. Kriza financiare ka ndikuar dukshëm në rezultatet e tyre, kurse pas xhiros së katërt janë përforcuar edhe me dy amerikanë, në mënyrë që mbijetesa të mos jetë në rrezik. Viti 2012 ishte i artë për skuadrën mitrovicase kur fitoi titullin dhe Kupën, derisa më pas hyri në një krizë të thellë, që ende nuk po arrin të dalë. 

Të pamotivuar në ndeshjet e para 

Valdrin Haxhiu është njëri nga basketbollistët besnik të kësaj skuadre. Përkundër se shumë lojtarë vendosën të largohen që kishin luajtur me vite të tëra, ai vendosi të qëndrojë. Haxhiu thotë se ndeshjet e deritanishme kanë qenë shumë të vështira. "Ndeshjet e deritanishme mund të them se kanë qenë shumë të vështirë, duke e ditur se kemi luajtur pa asnjë lloj motivimi, dhe duke e ditur se Trepça nuk është mësuar të humb prej të gjitha ekipeve të Superligës, andaj mendoj se kjo është arsyeja për rezultatet e deritanishme që kemi pasur në këtë edicion të elitës së basketbollit", ka thënë Valdrin Haxhiu për gazetën "Kosova Sot". Në ndeshjen e fundit, mitrovicasit kanë pësuar humbje nga Peja me vetëm dy pikë dallim, 68:66, kurse fitoren e vetme e kanë regjistruar ndaj Boreas 78:88, derisa të gjitha tjerat i kanë humbje. Trepça është në vendin e fundit në renditje me nëntë pikë, kurse dhjetë kanë Borea dhe Kerasan Prishtina. Nëse nuk përmirësohet gjendja në skuadër vështirë se Trepça mund të tentojë më shumë në këtë edicion se mbijetesa. 

Mbijetesa nuk do të jetë problem 

Mitrovicasit filluan garat me lojtarë vendorë dhe të rinj, për shkak të krizës financiare, kurse pas xhiros së katërt u përforcuan me dyshen amerikane, Julian Hyden dhe Mark Williams. Me dy lojtarët amerikanë priten rezultate më pozitive në të ardhmen. "Besoj se me ardhjen e dy përforcimeve është ngritur niveli i lojës, ku dihet që një ndeshje e kemi fituar, kurse dy të tjerat kemi qenë pafat, pasi jemi mundur në momentet e fundit të ndeshjes", ka thënë tutje Valdrin Haxhiu për gazetën "Kosova Sot". Ai ka shtuar se përkundër rezultateve të deritanishme, mbijetesa në elitën e basketbollit nuk do të jetë problem. "Besoj që për mbijetesë nuk do të kemi problem, sepse jemi duke u komponuar, dhe besoj që shumë shpejt do të largohemi nga fundi i tabelës", ka përfunduar Valdrin Haxhiu për gazetën "Kosova Sot". 'Xehetarët' ishin në pikëpyetje nëse do të nisin këtë kampionat për shkak të problemeve financiare, megjithatë u mobilizuan, duke luajtur me lojtarë të rinj, në mënyrë që të mos tërhiqen nga garat. Në situatë pak a shumë të ngjashme është edhe Peja, por verdhezinjtë kanë katër fitore dhe katër humbje. 

(Kosova Sot)