KAMPIONËT E VITIT 2017 - Sport - Kosova Sot
KAMPIONËT E VITIT 2017

KAMPIONËT E VITIT 2017

Image

REAL-I, MBRET I BOTËS

Viti 2017 ka qenë shumë i suksesshëm për Real Madrid-in. 'Mbretërit' e kurorëzuan vitin e suksesshëm, duke fituar në dhjetor Botërorin e Klubeve, duke mundur në finale Gremio-n me rezultat 1:0. Golin e vetëm e shënoi Cristiano Ronaldo nga gjuajtja e lirë. Ky ishte goli i tij i shtatë në këtë garë, duke qenë shënuesi më i mirë. Madrilenët fituan pesë trofe për vitin 2017. 

Image

'LUFTËTARËT' FITOJNË TITULLIN NË NBA

Golden State u shpall kampione e NBA-së për këtë vit. Skuadra kaliforniane u rikthye te titulli pas dy sezonesh teksa mposhti Cleveland në ndeshjen e pestë me rezultatin 129:120 për të mbyllur përballjet me të 4:1, duke mos e lejuar skuadrën nga Ohio të bëjë përmbysjen e madhe, siç ndodhi vitin e kaluar. Pa ndonjë diskutim, MVP i finaleve të sezonit 2016/2017 ishte shpallur Kevin Durant. Me një mesatare prej 35.2 pikëve, 8.4 kërcimeve dhe 5.4 asistimeve për ndeshje, Duranti ishte lider i Golden State në titullin e dytë brenda tre viteve, titull i cili ishte i pari për Durant-in si individ. 

Image

SËRISH MARQUEZ

Piloti i Repsol Honda, Marc Marquez (24-vjeçar), u kurorëzua me titullin e katërt të kampionit botëror, të cilin e siguroi në garën e fundit të këtij sezoni të Moto GP-së, që u zhvillua për Çmimin e Madh të Valencias. Marquez mbrojti titullin, pasi në garën e fundit në shtegun "Ricardo Tormo" përfundoi në vendin e tretë. Ky është titulli i tij i katërt i kampionit botëror në "klasin e Mbretërve', dhe i gjashti në total.

Image

LIGA E EVROPËS PËR UNITED-IN

Jose Mourinho njihet si trajner si trofeve. Këtë e arriti edhe me Manchester United-in, duke fituar Ligën e Evropës. Në finale, 'Djajtë e Kuq' mposhtën Ajaxin me rezultat 2:0, ku golat i realizuan Pogba dhe Mkhitaryan. Pasi fituan Ligën e Evropës, fituan të drejtën që të garojnë në Ligën e Kampionëve. 

Image

SLLOVENIA, KAMPIONE E EVROPËS

Sllovenia u shpall kampione e Evropës në basketboll, pasi mposhti Serbinë, me rezultat 93:85, në finalen e "Eurobasket 2017". Në një finale tejet dramatike, sllovenët treguan lojë jashtëzakonisht të mirë, duke e shkelur Serbinë. Kjo ishte hera e parë që Sllovenia fiton këtë trofe.

Image

RONALDO, PESË HERË 'TOPI I ARTË'

Viti 2017 ka qenë shumë i rëndësishëm për yllin portugez, Cristiano Ronaldo. Ai u zgjodh lojtari më i mirë i vitit nga FIFA,si dhe nga 'France Football'. Kjo ishte hera e pestë në karrierën e tij që shpallet më i miri në botë, duke u barazuar me Lionel Messi-n.

Image

MADRILENËT, SËRISH TRIUMFOJNË NË LIGËN E KAMPIONËVE

Real Madrid është klub i rekordeve. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që një skuadër të fitonte dy herë radhazi Ligën e Kampionëve, por këtë e arriti skuadra madrilene, duke mposhtur Juventus-in në finale me rezultat bindës 4:1. Real-i më herët kishte fituar La Liga-n, derisa më pas gjithashtu fituan Superkupën e Evropës dhe Spanjës.

Image

HAMILTON, KATËR HERË KAMPION I BOTËS

Lewis Hamilton ka fituar titullin e katërt të Formula 1. Britaniku i Mercedesit arriti këtë sukses në Meksikë, edhe pse pati përplasje me rivalin Sebastian Vettel në fillim të garës dhe e mbylli atë në vendin e nëntë. Hamilton ka dominuar nga fillimi i kampionatit deri në fund, duke fituar titullin me meritë dhe duke u barazuar me Sebastian Vettel e Ferrari-t. Mercedes u shpall kampione për instruktorë. 

Image

FEDERER DHE NADAL

Viti 2017 ishte i ikonave të tenisit, Roger Federer dhe Rafael Nadal. Të dy tenistët dhuruan ndeshje spektakolare. Federer dhe Nadal fituan nga dy trofe të rëndësishëm. Zvicerani fitoi në 'Wimbledon' dhe 'Australian Open', derisa spanjolli triumfoi në 'French Open' dhe 'US Open'.

(Kosova Sot)

17 orë e 1 minuta më parë
16/12/18