Peja po fundoset

  • 09 January 2018 - 08:53
Peja po fundoset

SKUADRA VERDHEZI, EDHE MË E DOBËT SE NË VJESHTË 

Largohet trajneri dhe disa basketbollistë vendorë 

Kriza e Pejës nuk ka fund. Verdhezinjtë edicionin e kaluar kishin shumë probleme dhe mezi arritën që të përfundojnë kampionatin. Kriza i përcolli edhe në këtë sezon, ku e filluan kampionatin vetëm me lojtarë të rinj dhe në stinorin vjeshtor kishin pesë fitore dhe nëntë humbje, duke u renditur në vendin e gjashtë. Por, kriza nuk përfundoi me kaq. Trajneri Bujar Loci u largua nga skuadra, së bashku me vendorët, Leonard Mekaj dhe Arian Qollaku. Për të 'vulosur' krizën e verdhezinjëve ishte eliminimi nga Kupa e Kosovës në basketboll nga Kalaja. Kështu në pranverë pritet një Pejë edhe më e dobët se në vjeshtë.

Mëkat për basketbollin dhe sportin e Kosovës

Kriza e Pejës ka ndikuar edhe në cilësinë e Superligës së Kosovës në basketboll, sepse është një nga skuadrat më me traditë dhe që gjithmonë ka luftuar për trofe. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, ka thënë se kriza e Pejës është fatkeqësi e madhe për sportin kosovar. "Nga Peja nuk pritet më shumë se në stinorin vjeshtor. Besoj se misioni i tyre do të jetë të shpëtojnë për të mos rënë nga Superliga. Kjo është një mëkat i madh për basketbollin dhe sportin e Kosovës. Është shumë trishtuese, që një qytet me një traditë shumë të gjatë dhe të ndritshme, ku për vite të tëra ka qenë treva e basketbollit kosovar dhe më gjerë, të bie në këso niveli është turp. Kjo është një fatkeqësi e madhe për sportin kosovar në tërësi. Gjithashtu është një shembull se si nuk duhet menaxhuar klubi, dhe si klubi katandiset nga persona që e bien në skuadrën këso gjendje", ka deklaruar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Peja gjithashtu ishte e dënuar nga FIBA për të mos kryer përforcime, derisa klubi është zhytur në borxhe të thella, duke mos arritur të dalë nga kriza.

Një stinor më ndryshe

Në stinorin pranveror, pritet një edicion 'jo shumë i zakonshëm', duke marrë parasysh se Ylli dhe Rahoveci janë përforcuar, kurse Sigal Prishtina ka larguar përforcimet e huaja, derisa me probleme po ballafaqohet Bashkimi. Katërshja e madhe sigurisht se do të ndryshojë në pranverë. "Me siguri se pritet një stinor interesant dhe ndryshe nga ata të fundit. Dhe tani në këtë situatë që ndodhemi, mund të ketë edhe befasi. Kjo do ta bëj më interesant rrjedhën e kampionatit. Në katërshen e madhe në pranverë besoj se do të përfundojnë Prishtina, Ylli, Rahoveci dhe Trepça. Kështu në stinorin pranveror të Superligës do të ketë disa ndeshje mjaft interesante, edhe pse është larg interesimit të mëparshëm, ku rivaliteti ishte në maksimum, cilësia ishte më e lartë, dhe shikueshmëria shumë më e madhe", theksoi Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Prishtina, Bashkimi, Ylli dhe Rahoveci përfunduan në katër pozitat e para në vjeshtë, derisa gjigantët e basketbollit, Trepça dhe Peja, u renditën në vendin e pestë, përkatësisht të gjashtë. Kjo nuk kishte ndodhur më parë që këto dy skuadra të mëdha të mos jenë as në top-katërshe. 

(Kosova Sot)