Prishtina e pandalshme, Vushtrria vazhdon të befasojë

  • 08 March 2018 - 08:50
Prishtina e pandalshme, Vushtrria vazhdon të befasojë

JANË KOMPLETUAR KATËR SKUADRAT GJYSMËFINALE TË KUPËS SË KOSOVËS

Përveç titullit të kampionit, Prishtina tash është afër edhe Kupës

Shumë më interesante ka qenë sfida në stadiumin "Zahir Pajaziti" në Podujevë, ndërmjet Llapit dhe Prishtinës, ku skuadra gjysmëfinaliste, Prishtina, është përcaktuar vetëm pas gjuajtjes së penalltive. Në takimin tjetër, Vushtrria e ka befasuar Gjilanin, për t'u kualifikuar vetë në gjysmëfinale

Me dy ndeshjet e zhvilluara dje janë zbuluar katër skuadrat gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Prishtina e Vushtrria janë emrat që i janë bashkuar Vëllaznimit dhe Drenicës në gjysmëfinale, të cilat pritet të sjellin përballje jashtëzakonisht interesante kur dihet se në këtë fazë zhvillohen nga dy takime vajtjeardhje. Padyshim vëmendja e futbolldashësve në rrethin çerekfinal të Kupës ishte përqendruar në Podujevë, ku takoheshin dy skuadrat më pretendente për ta fituar këtë trofe, Llapi e Prishtina. Llapi që në kampionat regjistron tri humbje radhazi, e kërkonte medoemos gjysmëfinalen për ta qetësuar situatën në ekip, derisa Prishtina që po ecën shumë mirë në kampionat, ishte më e qetë dhe kjo reflektoi në lojë ku gjatë ekzekutimit të penalltive, futbollistët bardhekaltër ishin shumë më të saktë. Në takimin tjetër të ditës së djeshme, që u ballafaquan Gjilani e Vushtrria, ndodhi befasia, pasi ishin vushtrriasit që u kualifikuan tutje pas fitores me rezultat 1:0. 

Dramë në Podujevë 

Shumë më interesante ka qenë sfida në stadiumin "Zahir Pajaziti" në Podujevë, ndërmjet Llapit dhe Prishtinës, ku skuadra gjysmëfinaliste është përcaktuar vetëm pas gjuajtjes së penalltive. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 1:1, derisa në vazhdime 2:2. Dy golat për Llapin i shënoi Mirlind Daku, kurse dy golat për Prishtinën malazezi, Drashko Bozhoviq. Në gjuajtjet e penalltive më efikas u treguan futbollistët e Prishtinës, pasi shënuan Bozhoviq, Dallku e Januzi, ndërsa dështoi vetëm Jamal Arago. Në anën tjetër, për Llapin shënuan vetëm Mirlind Daku e Leart Emini, derisa dështuan Benjamin Emini, Egzon Shabani dhe Mentor Zhdrella. Për Prishtinën ky ishte një tjetër sukses i madh, pasi atij në kampionat ku i prin tabelës dhe është duke shkuar me hapa të sigurt drejtë dy objektivave që ka. "Ne e arritëm objektivin, por unë kam rezervat e mia sa i përket lojës së Prishtinës. Duhej të ishim më të kujdesshëm te rezultati 2:1 dhe kur kishim një lojtar më pak. Tash do ta presim të qetë shortin dhe nuk kam ndonjë preferencë se cili kundërshtar të na bie", ka thënë trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, derisa për Tahir Batatinën ky ishte një zhgënjim i madh, por ai vazhdon të besojë në ekipin e tij dhe tash gjitha forcat i drejton kah garat kampionale. Batatina për këtë eliminim e ka fajë- suar gjyqtarin e ndeshjes sipas të cilit me vendimet e tij ka ndikuar direkt në rezultat.

Dëshpëron Gjilani, feston Vushtrria

Qyteti i Gjilanit ka mbetur pa asnjë përfaqësues në garat e Kupës së Kosovës. Pas eliminimit befasues një ditë më parë të Dritës nga Vëllaznimi, për një befasi zhgënjyese u përkujdes dje edhe Gjilani i cili u eliminua nga skuadra e kategorisë së dytë, Vushtrria. Ndeshja u zhvillua në Ferizaj, kjo me kërkesë të klubit gjilanas, pasi terreni në Gjilan ishte shumë i papërshtatshëm. Mirëpo, kjo kërkesë, përveçqë ka zhgënjyer tifozët gjilanas "Skifterat", ajo edhe u ka sjellë dëshpërim lojtarëve, pasi u mposhtën me rezultat 1: 0,me golin e shënuar nga Jetmir Topalli. "I uroj Vushtrrisë kualifikimin, ndërsa përgjegjësinë për humbje e marr unë. Gjilani do të vazhdojë të luajë ashtu siç ka luajtur deri tash, ndërsa ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë për hapat e mëtutjeshëm", ka thënë Morina. Në anën tjetër, shumë i lumtur është parë trajneri i Vushtrrisë, Isa Sadriu, i cili ka thënë se futbollistët e tij luftuan shumë dhe me meritë e arritën këtë sukses. 
 

Qyteti i Gjilanit ka mbetur pa asnjë përfaqësues në garat e Kupës së Kosovës. Pas eliminimit befasues një ditë më parë të Dritës nga Vëllaznimi, për një befasi zhgënjyese u përkujdes dje edhe Gjilani, i cili u eliminua nga skuadra e kategorisë së dytë, Vushtrria

(Kosova Sot)