NBA, Huston shënon fitoren e 17 më radhë

  • 08 March 2018 - 12:32
NBA, Huston shënon fitoren e 17 më radhë

Toronto Raptors vijon të dominojë në Konferencën e Lindjes, teksa sot ka regjistruar fitoren e 6 radhazi, përballë Detroit Pistons

Në sfidën më spektakolare të mbrëmjes, ka qenë pikërisht Demar DeRozan që udhëhoqi kanadezët drejt triumfit, duke shënuar plot 42 pikë, 6 asiste dhe 4 rikuperime.

Në Detroit, koha e rregullt prodhoi një barazim 114-114, teksa gjithçka u vendos në kohën shtesë, e fituar nga Raptors 5-7 dhe rezultatin final të ndeshjes, 119-121.

Edhe në Konferencën e Perëndimit vijon dominimi i Houston Rockets, që shënoi fitoren e 17 radhazi në NBA, teksa mposhti me rezultatin 99-110 Milwaukee Bucks.

Të udhëhequr nga Harden, me 26 pikë, 6 asiste dhe 5 rikuperime, Rockets vendosën 12 pikë diferencë në gjysmën e parë të lojës dhe administruan avantazhin në pjesën tjetër. Gjithsesi, lojtari më i mirë i sfidës u shpall greku i Bucks, Antetokounmpo, me 30 pikë, 1 asist dhe 7 rikuperime, shkruan Supersport.

Cleveland Cavaliers mori fitoren e dytë radhazi teksa mposhti Denverin me rezultatin 108-113. Edhe këtë herë, ishte pikërisht ylli i skuadrës, LeBron James ai që shkëlqeu, me 39 pikë të shënuara, 10 asiste dhe 8 rikuperime. Cavaliers e fituan takimin që në fraksionin e parë, të cilin e dominuan totalisht, duke vendosur edhe një epërsi prej 15 pikësh, që vetëm sa u reduktua në pjesën tjetër të ndeshjes.

Edhe në Los Angeles u luajt një takim mjaft interesant mesa Lakers dhe Orlando Magic, sfidë që pa vendasit të fitonin me vetëm një pikë diferencë 108-107.

Magic dominuan në fraksionin e parë dhe arritën të fitojnë edhe të 3-tin e të 4-tin, por ka qenë pikërisht fraksioni i dytë, i fituar nga Lakers 33-19, ai që u bë përcaktues për rezultatin final. Lojtari më i mirë i takimit, u shpall basketbollisti i Orlandos, Gordon, me 28 pikë, 2 asiste dhe 14 rikuperime.

Në sfidat e tjera, New Orleans Pelicans triumfoi ndaj Sacramentos me rezultatin 101-114, Utah mposhti Indianën me rezultatin 84-104 dhe Chicago fitoi me rezultatin 119-110 ndaj Memphis.

(Kosova Sot)