“Unitedi nuk mund të fitojë tituj me Lukakun”

  • 17 October 2018 - 11:38
“Unitedi nuk mund të fitojë tituj me Lukakun”

Ish-mesfushori legjendar i Manchester Unitedit, Paul Scholes, ka thënë se “Djajtë e kuq” nuk do të mund të bëhen kurrë kampion të Premierligës, me sulmuesin e vetëm në skuadër një golashënues si Romelu Lukaku.

Lukaku u transferua në Manchester Unitedit për 85 milionë euro në afatin kalimtar të verës së vitit 2017 nga Evertoni. Gjatë kësaj kohe me skuadrën e Jose Mourinhos, ai ka arritur t’i shënojë 31 gola në 62 ndeshje.

Sulmuesi belg ka arritur t’i shënojë katër gola në tetë ndeshjet në të cilat ka luajtur këtë sezon në Premierligës, megjithatë Scholes nuk është i kënaqur me ish-sulmuesin e Chelseat dhe Evertonit dhe insiston që ai nuk i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme për t’u konsideruar sulmues i klasit botëror.

“Nuk jam i sigurt se ata do të arrijnë ta fitojnë ndonjëherë ligën me një golashënues si ai. Nuk mendoj se ai është mjaftueshëm i mirë për të luajtur edhe jashtë 16-metërshit”, ka thënë Scholes për ESPN.

“Nuk jam i sigurt se ai punon mjaftueshëm, por është ende një djalosh i ri, i cili ka arritur shumë dhe ka shënuar shumë gola. Ai është i shpejtë dhe i fuqishëm, por Lukaku është njëri nga lojtarët e Manchester Unitedit që duket se i mungon vetëbesimi”.

“Unë nuk mendoj se ai e kupton sa i mirë mund të bëhet, por atij i nevojitet pak ndihmë pasi që në United nuk është askush tjetër përpos tij që mund të luajë në pozitën e qendërsulmuesit”.

 

(Kosova Sot)