Ende larg profesionalizmit

  • 23 October 2018 - 08:55
Ende larg profesionalizmit

Gjithashtu, shumë punëtorë sportivë punojnë pa kontrata
 

Pavarësisht se luajnë në elitën e basketbollit, shumë klube ende janë larg profesionalizmit, sepse në disa skuadra ka lojtarë dhe trajnerë që nuk paguhen, derisa kërkohen suksese nga ata. Derisa kjo gjendje të vazhdojë, atëherë vështirë se mund të priten 'ditë më të mira'

Pranimi në arenën ndërkombëtare i sportit kosovar nuk ka zgjedhur të gjitha problemet. Klubet përkundër se garojnë në Superligë, ende janë larg profesionalizmit, sepse kanë lojtarë e trajnerë që nuk i paguajnë, derisa shumë punëtorë sportivë ende janë pa kontrata. Kjo shkakton probleme të tjera, derisa skuadrat kanë probleme edhe organizative dhe njerëzit që punojnë në klube nuk janë shumë profesionalë. Kjo ndodh edhe në basketboll, që në vitet e kaluara ishin në kulmin e tij. Edhe situata financiare është katastrofë Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, thotë se në shumë klube të Superligës ka amatorizëm dhe në këtë mënyrë nuk mund të shkohet përpara. "Përveç titullit që bart Superliga e Kosovës në basketboll, të gjitha të tjerat janë amatorizëm. E them këtë me bindje të thellë. Përveç Z Mobile Prishtina dhe Golden Eagle Ylli, të gjitha skuadrat e tjera kanë probleme organizative dhe po ashtu financiare. Dhe, si mund të quhet kjo Superligë. Edhe pse jemi pranuar në FIBA, me klube nuk jemi askund. Klubet kurrë nuk kanë qenë më të paorganizuara në aspektin administrativ. Po ashtu, edhe situata financiare është katastrofë. S'ka kontrata, s'ka paga, dhe kërkohet kualitet. Si mund të shkohet në këtë mënyrë përpara", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Pavarësisht se ky stinor është pritur me interesim të madh, nuk ka përmirësim nga vitet e kaluara, madje, gjendja sa vjen e përkeqësohet dhe klubet po zhyten edhe më thellë në krizë. Pikërisht për shkak të borxheve ndaj FIBA-s, Peja u largua nga gara, kurse me probleme të ngjashme janë përballur edhe skuadrat tjera. Kujtojmë se kampioni Bashkimi, edicionin e kaluar ndërroi katër herë trajnerin gjatë një stinori, derisa ata i akuzuan prizrenasit se u kanë mbetur borxh. Një situatë të tillë e kanë përjetuar edhe skuadrat tjera. Trajnerë e lojtarë pa kontrata Përkundër se skuadrat garojnë në arenën ndërkombëtare, Superliga, ka shumë probleme. Klube të Superligës ende nuk i paguajnë lojtarët dhe trajnerët, derisa kërkohet cilësi dhe rezultate nga ta. "Lojtarët pa kontrata, pa paga, disa punojnë punë të tjerë, kurse të tjerët kërkojnë punë që sa më shpejt të braktisin basketbollin. Trajnerët po ashtu janë pa kontrata dhe pa kurrfarë sigurie në punën e tyre. Lojtarët e huaj vijnë në Kosovë, si në botën e premtuar, duke mbjellë iluzione se janë në Evropë, kurse në fakt mezi u sigurohet fjetja dhe ushqimi. Pastaj kërkohet kualitet nga ta. Kështu nuk funksionon assesi. Kjo ndodh te ne, sepse klubet udhëhiqen nga persona të cilët vijnë në klube, duke përfituar nga trajnerët dhe lojtarët, si dhe nga djersa e tyre. Kjo nuk ka perspektivë dhe nuk do të ketë as në të ardhmen derisa të vazhdohet në këtë mënyrë", është shprehur tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Ai së fundi drejtoi Lipjanin në Superligë. Lipjanasit u inkuadruan nga Liga e Parë në basketboll, derisa kanë shënuar një fitore në elitë, nga pesë ndeshje të zhvilluara. Skuadra e vetme pa fitore në Superligë është Trepça, që më herët gjithmonë luftonte për trofe, kurse në këtë edicion ende nuk e ka shijuar fitoren.

(Kosova Sot)