Drogba: Mourinho do t’i kishte fituar tre tituj të Premierligës me Man Cityn

  • 22 November 2018 - 10:38
Drogba: Mourinho do t’i kishte fituar tre tituj të Premierligës me Man Cityn

Ish-sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka thënë se trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, do t’i kishte fituar tashmë dy apo tre tituj të Premierligës nëse do të ishte në vend të rivalit Pep Guardiola, si trajner i Manchester Cityt.

40-vjeçari, i cili dje e bëri zyrtar lajmin për pensionimin e tij nga futbollit, beson se situata e keqe në të cilën po kalojnë “Djajtë e kuq” nuk është për shkak të trajnerit portugez, por për shkak të ndryshimeve financiare që nga largimi i Sir Alex Fergusonit.

Drogba është i sigurt se Mourinho do të kishte fituar më shumë tituj të Premierligës se Pep Guardiola me Manchester Cityn, duke shtuar se strategu portugez është një ndër trajnerët më të mirë për momentin në futboll.

“Mendoj se nëse do të ishte trajner i Manchester Cityt, ai do ta kishte fituar titullin e Premierligës dy apo tri here deri më tani. Ti kritikohesh kur ke një standard të lartë për fitore dhe tani nuk po i arrin të njëjtat rezultate”, ka thënë Drogba.

“Ai është ende trajner i Manchester Unitedit. Ju duhet ta shikoni listën e trajnerëve që ishin emëruar në Manchester United gjatë viteve të fundit. Nuk është e lehtë të jesh trajner pas Sir Alex Fergusonit dhe plani financiar nuk ishte i njëjtë si më parë”.

“Njerëzit i kushtojnë rëndësi vetëm më të mirit dhe ai është një ndër më të mirët, për këtë arsye ai merr gjithë këto kritika”.

Mourinho e kishte transferuar Drogban në Angli në vitin 2004, kur u bë për herë të parë trajner i Chelsea. Së bashku, kjo dyshe i fitoi tre tituj të Premierligës, një titull të FA Cup dhe tre tituj të League Cup. 

 

(Kosova Sot)