Hashani: Sinjale pozitive, por ende duhet shumë punë

  • 11 December 2018 - 08:58
Hashani: Sinjale pozitive, por ende duhet shumë punë

Përkundër që shumë gjëra duhet përmirësuar, vjeshta vlerësohet pozitive 

"Ajo që kam parë deri tash është se në futbollin kosovar më shumë po ka sasi sesa cilësi sa i përket prurjeve nga jashtë. Nëse shikojmë me statistika, shohim që golashënuesi më i mirë është Alban Shillova, që është lojtar vendor dhe jo ndonjë i huaj. Edhe në repartet e tjera nuk shohim që ndonjë nga jashtë ka bërë diferencën", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Erdin Hashani

Stinori vjeshtor në elitën e futbollit kosovar, tashmë ka përfunduar dhe gjithçka që ka mbetur është vlerësimi nga ana e analistëve se çfarë note po i japin. Në fakt, shumica prej tyre e kanë vlerësuar si një stinor të suksesshëm, edhe pse presin që në të ardhmen të bëhet punë shumë më e madhe, nëse dëshirojmë të arrijmë atje ku po pretendojmë. Gjithsesi, të gjithë e kanë të qartë se niveli në futbollin tonë vazhdon të jetë jo i kënaqshëm, dhe nëse dëshirojmë që në të ardhmen e afërt të jemi rivalë në garat ndërkombëtare e assesi të kënaqemi vetëm duke e kaluar një rreth qoftë në Ligën e Kampionëve, qoftë në Ligën e Evropës, duhet ende shumë punë. Ish- futbollisti i mirënjohur, tash trajner, Erdin Hashani ka thënë se sinjalet e para janë pozitive, dhe se deri diku duhet të jemi të kënaqur me atë që kanë treguar klubet tona.

Dështojnë Drita e Trepça'89

"Ishte një stinor i mirë dhe interesant. Nëse e marrim në përgjithësi, ekipet që kanë qenë favoritë janë lart në tabelë, përveç Dritës dhe Trepçës' 89, që është pritur më shumë, por kanë dështuar, të tjerat, si Prishtina, Feronikeli e Llapi, janë në garë për titull", ka thënë në fillim të bisedës për gazetën "Kosova Sot" Erdin Hashani, duke folur më pas edhe për pjesën e poshtme të tabelës. "Sa i përket se kush do të bjerë nga kategoria, hiq KEK-un, për të tjerat ekipe nuk do të dihet deri në fund, derisa më të rrezikuarat për mendimin tim janë Liria e Ferizaj, që në fund njëra nga këto dy skuadra mund të largohet", ka thënë për "Kosova Sot", Erdin Hashani.

Përforcimet jocilësore

Ajo që më së shumti po e shqetëson opinionin futbolldashës në Kosovë është cilësia. Analistët shpesh po e potencojnë se për ta ngritur cilësinë duhet sjellë përforcime nga jashtë, gjë të cilën po e bëjnë klubet tona, por për fat të keq këto prurje nuk po janë të nivelit të kënaqshëm. "Sa u përket përforcimeve, nuk është se ka sjellë ndonjë skuadër lojtarë me kualitet të lartë që kishim mundur të veçojmë në këtë analizë. Nëse shikojmë me statistika, shohim që golashënuesi më i mirë është Alban Shillova, që është lojtar vendor dhe jo i huaj. Edhe në repartet e tjera nuk shohim që ndonjë nga jashtë ka bërë diferencën. Shpresojmë që në të ardhmen të sjellin lojtarë që e bëjnë diferencën, sepse lojtarë të tillë i duhen kampionatit të Kosovës. Ajo që kam parë deri tash është se më shumë po ka sasi sesa cilësi me këto prurje në Kosovë", ka thënë Erdin Hashani, duke folur edhe për të ardhmen e futbollit tonë. "Ne si shqiptarë gjithmonë shpresojmë se do të bëhet mirë, edhe tash po shpresojmë që do të bëhet mirë, sepse kushtet kanë filluar të përmirësohen dhe normal kur ka përmirësim pritet të ketë edhe ndryshime, e kam fjalën për ndryshime pozitive", tha Hashani, i cili po beson se edhe në garat ndërkombëtare tash e tutje të kemi rezultate. "Kushtet për punë i përmenda që kanë filluar të përmirësohen, krejt çfarë na duhet tash është të punojmë shumë dhe në futboll nuk ka asgjë të pamundur", ka përfunduar Erdin Hashani.

 

(Kosova Sot)