Trepça po rikthehet

  • 11 December 2018 - 09:00
Trepça po rikthehet

'Xehetarët' me gjashtë fitore dhe gjashtë humbje  

Trepça, pas një fillimi shumë të dobët, u është kthyer rezultateve pozitive. Mitrovicasit kanë katër fitore radhazi dhe kanë arritur të hynë në top-4. Basketbollisti mitrovicas, Samir Zekiqi tregon si kanë tejkaluar problemet dhe synimet për të ardhmen

Trepça në basketboll e nisi shumë dobët këtë edicion. Në pesë xhirot e para kishte pesë humbje, duke i befasuar për të keq. Por, me kalimin e xhirove, basketbollistët mitrovicas u këndellen dhe tani kanë arritur të hynë edhe në top-4, duke regjistruar gjashtë fitore dhe gjashtë humbje. Madje, në katër xhirot e fundit nuk dinë për humbje, duke mundur Golden Eagle Yllin, Lipjanin, Rahovecin dhe Borean. Këtë të fundit e mundi me rezultat bindës 136:70 në xhiron e 12-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Në javën e ardhshme do të përballet me Ponte Prizrenin dhe ka mundësi të vazhdojë serinë e fitoreve. Siç dihet lider i padiskutueshëm është Z Mobile Prishtina me 11 fitore në po aq ndeshje të zhvilluara. 

Pse filluan dobët?

Njëri nga basketbollistët më të merituar për këtë sukses dhe po shkëlqen te Trepça është Samir Zekiqi. Ai është njëri ndër vendorët më të mirë në Superligë. Zekiqi tregon për fillimin e vështirë që e kishin. "Kemi pasur një seri jo të mirë, sepse e nisëm shumë dobët edicionin. Megjithatë, ato ndeshje ishin vetëm fillimi dhe çdo fillim është i vështirë, duke marr parasysh që kemi filluar si klub përgatitjet me vonesë se të gjitha skuadrat tjera, pastaj nuk jemi komponuar sa duhet, gjithashtu ndërrimet që kanë ndodhur, dhe shumë faktorë të tjerë kanë ndikuar, që të mos e nisim ashtu siç kemi dashur. Megjithatë, me kohë kemi marr veten dhe jemi duke punuar dhe vazhduar drejt synimeve tona si klube", është shprehur Samir Zekiqi për gazetën "Kosova Sot". Pas Prishtinës, në vendin e dytë është Rahoveci me tetë fitore e katër humbje, Ylli i treti me shtatë fitore e pesë humbje, Trepça dhe Bashkimi, në vendin 4 dhe 5, me gjashtë fitore dhe gjashtë humbje. Në vendin e fundit është Lipjani me dy fitore dhe dhjetë humbje. Lipjanasit kanë hyrë nga Liga e Parë në Superligë.

Si arritën të këndellen dhe cilat janë synimet?

Ndeshje pas ndeshje dhe Trepça filloi të luante më mirë, derisa edhe rezultatet pozitive nuk mungonin. Zekiqi thotë se janë duke punuar shumë për këto rezultate që kanë arritur. "Me kohë loja është përmirësuar dhe lojtarët kanë ardhur në formën e tyre. Çdo lojë jemi duke e ngritur nivelin, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm. Edhe në stërvitje jemi duke punuar shumë, edhe pse kushtet nuk janë shumë të mirë, sepse dihet se sallat tona në Kosovë nuk kanë nxehje dhe është ekstrem ftohtë. Megjithatë, me punë dhe vullnet të mirë kemi përmirësuar lojën tonë me ardhjen e Mark Doris. Ai ka sjell stabilitet dhe përvojë të madhe, si dhe është adaptuar shumë shpejt. Synimi ynë në çdo ndeshje është të hyjmë vetëm për fitore. Në disa ndeshje kemi arritur të kthehemi nga minus 10-15 pikë. Kjo është vetëm dëshirë dhe vullnet e karakter i fortë i skuadrës. Kjo dëshmon edhe për punën e mirë që po bëhet në stërvitje", është shprehur Samir Zekiqi për gazetën "Kosova Sot", duke shtuar: "Synimet tona gjithmonë do të jenë për pozita më të larta dhe të jemi në 'play-off'. Duam të luajmë fort në çdo ndeshje. Pas serisë negative që kishim, tani kemi hyrë në një seri mjaft të mirë", ka deklaruar Samir Zekiqi për gazetën "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)