Legjenda e Unitedit i habitur me Lukakun: Si ka mundësi që ai të ndihet mbipeshë?

  • 11 December 2018 - 13:18
Legjenda e Unitedit i habitur me Lukakun: Si ka mundësi që ai të ndihet mbipeshë?

Ish-mbrojtësi anësor legjendar i Manchester Unitedit, Gary Neville, e ka pranuar se ka mbetur i habitur nga deklaratat e fundit të sulmuesit të “Djajve të kuq”, Romelu Lukakus, i cili kishte thënë se ka shtuar shumë peshë.

Qendërsulmuesi belg, Lukaku, kishte bërë të ditur se ai kishte shtuar shumë peshë gjatë rrugëtimit të Kombëtares së Belgjikës në Kupën e Botës, dhe për këtë arsye nuk kishte arritur ta fillonte sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme me “Djajtë e kuq”.

Lukaku i ndihmoi Belgjikës të arrinte deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në Rusi, duke i shënuar katër gola. Mirëpo, ai nuk ka arritur të performojë në të njëjtën mënyrë për Manchester Unitedin këtë sezon, duke i shënuar vetëm gjashtë gola në gjithsej 15 paraqitje.

25-vjeçari arriti ta shënojë golin e tij të parë në Old Trafford që nga maji i këtij vitit, gjatë fitores me rezultat 4-1 kundër Fulhamit dje. Goli i shënuar në ndeshjen paraprake, kundër Southamptonit, i dha fund ecurisë prej 12 ndeshjeve pa asnjë gol për klubin e tij.

Legjenda e klubit anglez, Neville, i ka vënë në dyshim edhe lojtarin edhe stafin e klubit pas këtyre deklaratave, duke thënë se është i habitur se si ka mundësi të lejohet një gjë e tillë kur janë 55 persona të cilët paguhen për ta bërë pikërisht këtë punë.

“Mund ta diskutojmë nëse ai e ka programin e duhur dhe pastaj mund të vësh dyshim mbi stafin e klubit dhe gjëra të tilla. Por, unë me të vërtetë jam i habitur nga e gjitha kjo gjë”, ka thënë Neville, i cili punon si analist i futbollit.

“Në epokën moderne, kur ke rreth 55 anëtarë të stafit të cilët punojnë për skuadrën, trajnerë dhe këshillues të çdo lloji, unë nuk po arrij ta kuptoj se si një lojtar mund të lejohet të ndihet se ka shtuar shumë peshë ose muskuj, veçanërisht kur është në gjendje të mirë fizikë”. 

 

(Kosova Sot)