Iniesta: Përse ta vrasim Dembelen kur ka zgjidhje

  • 11 December 2018 - 16:30
Iniesta: Përse ta vrasim Dembelen kur ka zgjidhje

Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, Andres Iniesta, është kthyer përsëri në qytetin spanjoll pas disa muajve me klubin japonez, Vissel Kobe, dhe e ka komentuar rastin e mesfushorit të talentuar por të kritikuar të ish-klubit të tij, Ousmane Dembele.

Sulmuesi francez është futur përsëri në telashe me Barcelonën, pasi që u vonua për seancën stërvitore që u zhvillua sot, një ditë pasi që shënoi gol në ndeshjen kundër Espanyolit.

Një muaj më parë, ai kishte munguar në seancën stërvitore dhe klubi e kishte kontaktuar atë për ta zbuluar arsyen e mungesës dhe Dembele kishte pretenduar se kishte dhimbje stomaku. Kjo kishte bërë që ai të mbetej jashtë skuadrës së zgjedhur nga trajneri Ernesto Valverde për ndeshjen kundër Betisit.

Edhe trajneri i Kombëtares së Francës, Didier Deschamps, e kritikoi atë për sjelljen e tij duke thënë se ai gjen arsyetime kur vonohet për seancat stërvitore dhe duke kërkuar nga ai që ta përmirësojë këtë aspekt të tij.

“Është e vështirë ta vlerësosh situatën me Dembelen sepse nuk jam më aty. Duhet të ketë rregulla dhe përgjegjësi, të cilat nëse nuk respektohen, klubi dhe skuadra duhet ta gjejë një zgjidhje për këtë situatë”, ka thënë Iniesta.

“Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për Barcelonën. Ne duhet të gjejmë zgjidhje për gabimet tona dhe jo t’i vrasim ato. Duhet t’i vrasim vetëm kur nuk ka zgjidhje. Nuk mendoj se zgjidhjet janë të pashpresa, këshilla ime se kjo do të vijë në kohë”.

 

(Kosova Sot)