Perez: Modrici i përfaqëson vlerat e Real Madridit

  • 11 December 2018 - 17:50
Perez: Modrici i përfaqëson vlerat e Real Madridit

Skuadra e Real Madridit e ka mbajtur sot darkën e Krishtlindjeve në stadiumin Santiago Bernabeu dhe presidenti i klubit, Florentino Perez, gjatë fjalimit të tij, e lavdëroi fituesin e Topit të Artë, Luka Modricin.

Pas një dekade dominim nga Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, Topin e Artë këtë vit e fitoi Luka Modrici, i cili sezonin e kaluar e fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madridin dhe verës shkoi deri në finale të Kupës së Botës me Kombëtaren e Kroacisë.

Pasi që Modrici u shpall fitues i këtij çmimi, ky u bë viti i tretë radhazi që një futbollist i Real Madridit e fiton këtë çmim. Para Modricit, në dy vitet paraprake fitues kishte qenë Cristiano Ronaldo, i cili gjatë verës u transferua në Juventus.

“Ne tanimë jemi të përqendruar që ta fitojmë Kupën e Botës për Klube. Këta lojtarë janë tashmë pjesë e historisë dhe legjendës së Real Madridit”, ka thënë Perez.

“Një ndër ta është edhe Luka Modrici, fituesi i Topit të Artë dhe çmimit të FIFA-s për lojtarin më të mirë të vitit, i cili i përfaqëson vlerat dhe talentin në skuadrën e Real Madridit”. 

(Kosova Sot)