Pas kualifikimit, Liverpooli merr një goditje tronditëse

  • 12 December 2018 - 09:57
Pas kualifikimit, Liverpooli merr një goditje tronditëse

Liverpooli ka konfirmuar se mbrojtësit Joel Matip dhe Trent Alexander-Arnold kanë pësuar lëndime gjatë fitores ndaj Napolit 1-0 në Ligën e Kampionëve të martën mbrëma.

Matip e dëmtoi krahun pas një përplasjeje në fund të ndeshjes që Liverpooli e fitoi 1-0 në “Anfield”, para se Alexander-Arnold e la takimin duke çaluar dhe u zëvendësua nga Dejan Lovren në kohën shtesë të takimit.

Mediat britanike tani raportojnë se Matip u dërgua në spital për t’iu nënshtruar ekzaminimeve, edhe pse trajneri i të kuqve, Jurgen Klopp, nuk qe në gjendje t’i konfirmojë këto lajme kur u pyet nga mediat pas ndeshjes.

Ai, megjithatë, e konfirmoi se mbrojtësi i krahut i Anglisë Alexander-Arnold do të vlerësohet nga mjekët pas dëmtimit që e pësoi në këmbë.

“Nuk jam i sigurt. Askush s’më tha asgjë për krahun e Joelit, prandaj shpresoj se kjo është shenjë e mirë”, tha Klopp.

“Trent mori një goditje në këmbë. Nuk jemi të sigurt se çfarë është saktësisht. Por i dhemb”, shtoi ai. 

(Kosova Sot)