Prezantimi i mrekullueshëm i Ronaldos në zhveshtoren e Man Unitedit

  • 19 January 2019 - 09:57
Prezantimi i mrekullueshëm i Ronaldos në zhveshtoren e Man Unitedit

Historia e debutimit të Cristiano Ronaldos në Premierligë, në ndeshjen kundër Boltonit, është komentuar disa herë. Megjithatë, ish-bashkëlojtari i portugezit, Quinton Fortune, ka zbuluar se prezantimi i Ronaldos në zhveshtoren e klubit kishte qenë edhe më i mirë.

Më 16 gusht të vitit 2003, Manchester Unitedi ishte duke fituar 1-0 kundër Boltonit, mirëpo kur kishin mbetur edhe 29 minuta lojë, skuadra e Sir Alex Fergusonit nuk ishte aspak e sigurt se do të arrinte ta mbante rezultatin.

Trajneri legjendar i klubit u mbështet te lojtarët në bankën rezervë dhe e futi në ndeshje të sapotransferuarin nga Sporting Lisbona, Ronaldon. Që nga ajo ditë, Ronaldo u bë një nga yjet më të mëdhenj në skuadrën e Manchester Unitedit.

Se do të bëhej një lojtar i mrekullueshëm, Fortune thotë se e kishte kuptuar që nga prezantimi i parë i Ronaldos në zhveshtoren e Manchester Unitedit, kur portugezi kishte pretenduar se është më i miri në botë.

“Ronaldo erdhi me shumë vetëbesim, ishte e pabesueshme. Ai hyri në zhveshtore dhe në thelb na tha të gjithëve se ai është më i miri në botë. Këtë gjë e tha me një anglishte jo edhe aq të mirë, mirëpo arritëm ta kuptojnë”, ka thënë Fortune në një intervistë për The Guardian.

“Kjo gjë e ngriti atë mbi të lojtarët e tjerë të rinj, pasi që ai i mbështeste fjalët e tij me etikën e punës dhe aftësitë e tij. Edhe në atë moshë, ai dëshironte të ishte më i mirë se të gjithë të tjerët. Nëse dikush bënte diçka mirë në stërvitje, ai e ushtronte atë derisa ta bënte edhe ai”. 

(Kosova Sot)