"Foleja e re", motivim i madh

  • 20 January 2019 - 08:36

Mund të rritet shikueshmëria në basketbollin e Kosovës  

Pas rinovimeve, palestra në Lipjan është e gatshme dhe lipjanasit do të debutojnë në Superligë në folenë e tyre, derisa në fund të muajit shkurt, pritet që edhe Rahoveci të jetë në shtëpinë e tij. Kjo do të ju ndihmojë shumë këtyre dy skuadrave në synimet për edicionin e ri, derisa gjithashtu është e mirë edhe për basketbollin e Kosovës, që në dy vjetët e fundit ka pasur rënie

Të shtunën me përballjen në mes Lipjanit dhe Ponte Prizrenit që do të zhvillohet në Lipjan nga 17:00 do të nisë stinori pranveror në Superligën e Kosovës në basketboll. Risi e kësaj ndeshje është fakti se skuadra e Lipjanit do të luajë për herë të parë në Superligë si nikoqir në palestrën e saj, pasi që Federata e Basketbollit të Kosovës së fundi ia ka miratuar palestrën, pas investimeve të fundit që i ka bërë Ministria për Kulturë, Rini e Sport dhe Komuna e Lipjanit në këtë palestër. Ndërkaq të dielën janë në program tri ndeshje në kuadër të xhiros së 15-të, ku Z Mobile Prishtina e pret Trepçën nga ora 16:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, derisa Bashkimi e pret Golden Egale Yllin nga 17:00 në palestrën "Sezai Surroi" në Prizren, kurse Borea është nikoqire e Rahovecit, takim ky që luhet në palestrën "Karagaçi" në Pejë nga ora 19:00.

Çdo investim është i mirëseardhur

Kështu në stinorin pranveror, Lipjani e nis në palestrën e tij që pritet t'i ndihmojë shumë, kurse në fund të muajit shkurt, pritet që edhe Rahoveci të jetë në folenë e tij, kur do të inaugurohet palestra e re për garat finale në Kupën e Kosovës në basketboll. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi është shprehur se zhvillimi i ndeshjeve në palestrën e tyre u ndihmon shumë skuadrave në synimet që kanë. "Sigurisht se çdo investim në palestra dhe nëpër qendra të ndryshme të Kosovës është shumë i mirëseardhur dhe mundësi që basketbolli, si dhe sportet e tjera me dorë të kenë shtrirje më të madhe në tërë vendin.

Kjo u mundëson skuadrave të qendrave më të vogla të kenë mundësinë që të rinjtë të merren me sporte, në këtë rast me basketboll. Kjo u mundëson shumë këtyre dy skuadrave, por edhe qyteteve që të zhvillojnë më shumë basketbollin. Në Lipjan është vetëm rinovuar, derisa ajo në Rahovec është ndërtuar, ku punimet kishin filluar më shumë se dhjetë vite", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Lipjani, me anë të një njoftimi, u ka bërë thirrje tifozëve që të vijnë në numër më të madh për ndeshjen e së shtunës, derisa gjithashtu u ka bërë thirrje që të jenë të vëmendshëm dhe të mos hedhin gjësende në parket dhe të mos e dëmtojnë palestrën e rinovuar. Lajmi tjetër i mirë është se palestra në Prishtinë është bërë me nxehje dhe do t'u ndihmojë shumë skuadrave dhe lojtarëve në stinorin pranveror. 

U ndihmon shumë klubeve

Lipjani është në vendin e fundit me 16 pikë, aq sa ka edhe Borea, dhe misioni i tij do të jetë të qëndrojë në elitën e basketbollit dhe të mos kthehet në Ligën e Parë pas një viti. Ndërkohë, Rahovec po lufton për të hyrë në "Play-off", ku ndodhet në vendin e tretë me nëntë fitore dhe pesë humbje, derisa do të organizojë edhe finalet e Kupës në basketboll. Krasniqi ka shtuar se palestra ka shumë rëndësi dhe përkrahje e tifozëve u mundëson shumë këtyre dy skuadrave. "Sa i përket synimeve të këtyre dy skuadrave, tani janë më të arritshme, sepse lojërat si vendas iu mundëson që të kenë rezultate edhe më të mira. Po ashtu edhe sensibilizimi i basketbollit do të jetë shumë më në nivel të larta dhe gjithashtu shikueshmëria do të jetë shumë më e madhe. Tifozët do të kenë mundësinë që t'i përkrahin ekipin e tyre, që do të jetë një përkrahje shumë e madhe. Përkrahja nga tifozët është shumë e rëndësishme. Gjithashtu edhe shikueshmëria mund të rritet, që i ka munguar shumë basketbollit të Kosovës, sidomos në dy vitet e fundit, ku basketbolli i Kosovës ka pasur rënie", ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)