Pankartat kundër Ronaldos në Madrid

  • 22 January 2019 - 16:16
Pankartat kundër Ronaldos në Madrid

Pasi Gjykata Provinciale e Madridit nuk e pranoi kërkesën e Cristiano Ronaldos për të hyrë në ndërtesa nga pjesa nëntokësore për seancën që u zhvillua sot, portugezi dhe e fejuara e tij, Georgina Rodriguez, u përballen me disa protestues e gazetarë.

Ylli portugez i Juventusit, Cristiano Ronaldo, e pranoi fajin gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Provinciale të Madridit sot, ku u akuzua për evazion fiskal gjatë kohës sa ishte lojtar i Real Madridit.

Protestuesit që kishin dalë në vendin e ngjarjes kishin përgatitur disa mesazhe në pankarta për portugezin, ku shkruhej: “Ti ke më shumë, por paguan më pak” dhe “Cristiano I keq dhe mashtrues”.

Portugezi u paraqitet para trupit gjykues sot dhe u përball me akuzat për falsifikim të të dhënave për përfitimet financiare nga shitja e të drejtave të imazhit. Gjykata mori vendim për ta dënuar me dy vjet burg me kusht dhe gjobë prej 19 milionë eurosh për portugezin.

Në vitin 2017, Ronaldo kishte thënë se ai nuk kishte tentuar kurrë t’i shmanget pagimit të taksave për përfitimet financiare të tij.

Megjithatë, ai u akuzua nga një prokuror i shtetit për katër falsifikime të të dhënave financiare gjatë viteve 2011-2014. Prokurori bëri të ditur se Ronaldo i ka fshehur 14.7 milionë euro përmes kompanive jashtë Spanjës.

Akuzat nuk i përfshijnë pagat që ai i ka marrë nga Real Madridi qysh nga transferimi i tij në vitin 2009 nga Real Madridi.

Në Spanjë, gjyqtarët shqiptojnë dënim prej 2 vjetësh burg për personat që e shkelin ligjin për herë të parë. Ronaldo nuk do ta vuajë këtë periudhë dënimi me burg, pasi që kishte arritur marrëveshje për ta paguar një gjobë prej 19 milionë eurosh.

33-vjeçarit i ishte ofruar të merrte pjesë në këtë seancë gjyqësore përmes një lidhjeje me kamerë nga Italia, mirëpo ai preferoi të shkonte në Madrid, përkundër që mbrëmë kishte qenë i përfshirë në ndeshjen e Juventusit kundër Chievos. 

(Kosova Sot)