Milan e fiton betejën për vendin e katërt, shkëlqen Piatek

  • 16 February 2019 - 22:44
Milan e fiton betejën për vendin e katërt, shkëlqen Piatek

Milani ka arritur të sigurojë fitore me rezultat 3:1 në ndeshjen kundër Atalantas, e cila u zhvillua sonte në stadiumin Atleti Azzuri D’Italia dhe ishte e vlefshme për xhiron e 24-të Serisë A.

Kjo fitore ishte tejet e rëndësishme për skuadrën e Gennaro Gattusos, pasi që po të pësonin disfatë, kuqezinjtë do ta humbnin pozitën e katërt në tabelën e Serisë A.

Fillimisht kishte qenë Atalanta ajo që kishte kaluar në epërsi, përmes golit të shënuar në minutën e 33-të nga Remo Freuler.

Megjithatë, ky gol nuk ishte i mjaftueshëm që skuadra vendase ta merrte ndonjë pikë nga kjo ndeshje, përkundër që e mbajti më shumë topin gjatë ndeshjes. Atalanta pati edhe më shumë goditje drejt portës, plot 13 të tilla.

Megjithatë, skuadra e Gattusos u tregua më e saktë dhe me shtatë goditje drejt portës, arriti t’i shënojë plot tri gola, falë saktësisë së Krzysztof Piakekut, që i shënoi dy gola, Hakan Calhanoglu, i cili e shënoi një gol të mrekullueshëm nga jashtë zonës së portierit.

Etrit Berisha pësoi nga saktësia që tregoi Piatek para portës së Atalatnas, pasi që polaku ishte futbollisti me vlerësimin më të lartë nga kjo ndeshje, ndërsa portieri i ekipit kombëtar të Shqipërisë u vlerësua me notën më të ulët.

Ndeshja e radhës për Milanin do të jetë përsëri në kuadër të Serisë A, kur kuqezinjtë do ta presin në shtëpi Empolin, të premten në orën 20:30. Ndërsa, Atalanta do t’i shkojë mysafir Torinos.

 

(Kosova Sot)