Historia e Salas: Jeta, vdekja tragjike dhe të gjitha pyetjet pa përgjigje

  • 22 February 2019 - 12:36
Historia e Salas: Jeta, vdekja tragjike dhe të gjitha pyetjet pa përgjigje

Emiliano Sala ishte një futbollit nga zona rurale e Argjentinës dhe ishte shumë afër për ta realizuar ëndrrën e tij për të luajtur në Premierligë.

28-vjeçari u transferua në Cardiff City për 17 milionë euro, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë në histori të klubit, vetëm tri ditë para se të vdiste, kur aeroplani me të cilin po udhëtonte u rrëzua afër ishullit Guernsey.

Vdekja e tij e kishte nxitur një kërkim të shumëpritur dhe trupi i Salas u gjet në rrënojat e aeroplanit të fundosur.

Vdekja e tij e ka vendosur vëmendjen te aspekti negativ i të qenit futbollist profesionist, veçanërisht pasi që ekspertët e aviacionit besojnë se ky aksident ishte i evitueshëm.

Nga komuniteti i vogël, rural, Progresso, në verilindje të Argjentinës, ku u arrit, dhe në Carquefou, ku jetoi në Francë – kjo është historia e jetës, vdekjes tragjike dhe të gjitha pyetjet pa përgjigje, të treguara nga njerëzit e afërt të Salas.

Lojtari

Sulmuesi argjentinas njihej si më i miri i grupit të shokëve të tij në San Martin de Progreso, ekipi ku luante si fëmijë. Presidenti i klubit, Daniel Ribero, e ka përshkruar atë si yllin më të rëndësishëm të skuadrës.

“Ai ka qenë gjithmonë një fëmijë i mirë, shumë i respektueshëm”, ka thënë ai.

Sala më vonë kishte filluar të luante, si adoleshent i ri, në një ekip 110 kilometra larg shtëpisë së tij. Ekipi, Proyecto Crecer, u lidh menjëherë me ekipin spanjoll, Mallorcan, dhe atë francez, Girondins de Bourdeaux, ku Sala shpenzoi shumë kohë i huazuar.

Në vitin 2012, ai debutoi si profesionist për Bordeaux, mirëpo nuk arriti ta zë një vend në formacioni e parë. Për këtë arsye, ai u dërgua në formë huazimi në disa klube më të vogla në Francë, ku filloi ta mësonte gjuhën.

Por, kur arriti në Nantes, ai arriti ta dëshmojë talentin. Në sezonin e tij të fundit, ai ishte njëri ndër golashënuesit më të mirë në Ligue 1, duke i lënë pas vetes futbollistë si Kylian Mbappe dhe Neymar.

Por, përkundër sukseseve të tij në Francë, Sala, si shumë lojtarë të tjerë, ëndërronte të luante në Angli.

Martin Molteni ishte njëri shokët më të mirë të Emilianos dhe ai e mbajti edhe një fjalim në funeralin e tij Progresso, ku Salas kthehej çdo verë për t’i vizituar miqtë e tij.

“Çdo herë që ne flisnim për ëndrrat tona, ne gjithmonë flisnim për ekipin kombëtar të Argjentinës, për Premierligën dhe La Ligën. Kështu që, kur më tregoi për Cardiffin, ai e kishte arritur ëndrrën dhe dhe ai do ta mësonte një gjuhë të re, një kulturë të re”, ka thënë ai.

“Ai kishte shumë qëllime. Premierliga ishte njëra ndër to dhe unë jam i sigurt se ai do të ftohej edhe nga Argjentina dhe jam i sigurt se do të luanim futboll këtu në Progresso kur të ishim të vjetur dhe të pensionuar”.

Marrëveshja

Në dhjetor të vitit 2018, agjenti i futbollit, Willie McKay dhe djali i tij, Mark, ishim mandatar nga pronari i Nantes, Waldemar Kita, për ta gjetur një klub të ri për Salan në Premierligë.

McKay organizoi dhe pagoi dy herë fluturime për trajnerin e Cardiff Cityt, Warnock, në Francë, për ta parë Salan duke luajtur futboll.

Në një mesazh elektronik që ia kishte dërguar Salas në janar, McKay e pranon se ai po tenton ta rritë çmimin e tij duke e rritur rrejshëm edhe interesimin e klubeve të tjera për të.

Cardiffi, që e transferuan Salan për një shumë rekord vetëm tri ditë para vdekjes së tij, deri më tani nuk ia kanë paguar këto para Nantesit dhe tani ata janë futur në një betejë ligjore, për të cilën mund të lexoni më shumë këtu.

Aksidenti

Willie McKay kishte ofruar ta organizonte një udhëtim për Salan, drejt nga Nantes në Cardiff, si favor. Aeroplani, i drejtuar nga piloti David Ibbotson, e la Nantesin në 18:15 dhe u zhduk në orën 17:30.

Rrënojat e aeroplanit, ku gjendej edhe trupi i Salas, u gjet dy javë më vonë. Ish-piloti, Alastair Rosenschein, ka thënë se udhëtimi kishte qenë i rrezikshëm.

“Ishte një udhëtim i rrezikshëm, ndoshta edhe më i rrezikshëm sesa që mund të dëshirojë ndokush. Unë nuk do ta kisha këshilluar pilotin ta drejtonte aeroplanin gjatë natës, mbi det, gjatë dimrit dhe në mot të keq. Nuk ishte udhëtim aspak i sigurt”, ka thënë ai.

Pyetjet pa përgjigje

Për familjet dhe shoqërinë e Salas, funerali i tij në Progreso nuk ishte fundi i kërkimit të përgjigjeve për atë se çfarë ka ndodhur.

Kushëriri i tij, Martin Gatti, ka insistuar se dikush duhet të marrë përgjegjësi për vdekjen e Salas, duke thënë se kishte parregullsi në historinë e aksidentit të tij.

“Ata e vranë Emilianon. Gjithçka u planifikua keq dhe ata e obliguan atë që të udhëtojë me atë aeroplan. Ai filloi të bëhet një personalitet i rëndësishëm dhe ata e lënë atë të vetëm sepse ai shkoi atje pa asnjë përfaqësues. Besoj se kjo gjë duhet të hetohet edhe më shumë sepse ka shumë parregullsi qysh nga fillimi’, është shprehur Gatti.

“Ata duhej të ishin kujdesur më shumë për të dhe t’ia siguronin atij një udhëtim me një aeroplan në gjendje më të mirë”.

Shoku i tij i fëmijërisë, Martin Molteni, sugjeroi se tragjedia e tregoi se të drejtat e futbollistëve nuk respektohen gjithmonë.

“Shpresoj që një pjesë e asaj që na i ka lënë Sala të jetë mësimi që të drejtat e futbollistëve duhet të respektohen. Futbollistët janë njerëz si ne. Mund të na ketë ndodhur të gjithëve. Shpresoj se nuk do të ndodhë përsëri një gjë e tillë”, ka thënë Molteni.

Ajo që është e sigurt është që Sala do të kujtohet aq sa për sjelljet e tij të mira, aq sa për aftësinë e tij për të shënuar gola.

Reputacioni i tij në qytetin e vogël, Carquefou, afër Nantesit, tregon gjithçka.

Të shtunën, para se të vdiste, Sala e kishte lënë një termin me berberin e tij të preferuar për t’i thënë atij lamtumirë, pasi që e kishte vizituar çdo tri javë për katër vjetët e fundit.

Kur ai shkoi të paguajë, berberi Jean Philippe Roussel i refuzoi paratë e tij dhe Sala ia dhuroi atij një fanellë të nënshkruar, të cilët tani ai e mban të varur në dyqanin e tij.

Prifti në kishën Saint Pierre, Guillaume Le Floch, ka thënë se Sala e vizitonte kishën para çdo ndeshjeje.

“Është shumë mbresëlënëse sa shumë ka mbetur Emiliano Sala në mendjen e të gjithë qytetarëve këtu”, ka thënë prifti.

Emiliano Sala (1990-2019)

(Kosova Sot)