Barazim i madh për Kosovën

  • 22 March 2019 - 11:56
Barazim i madh për Kosovën

'Dardanët' 'stërviten' me Danimarkën

Kosova ka shkëlqyer përballë Danimarkës, duke bërë një paraqitje të jashtëzakonshme, të mrekullueshme dhe fantastike, derisa rezultati përfundimtar ishte 2:2, me një gol të pësuar në kohën shtesë. Për 90 minuta ishin të barabartë e shumë herë më të mirë se Kombëtarja e renditur në vendin e dhjetë në botë

Kosova ka bërë një paraqitje fantastike përballë Danimarkës, derisa edhe në këtë ndeshje nuk pësoi, ku humbja e fundit daton nga viti 2017. Skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes arriti të përballet si e barabartë me nordikët, madje në momente të caktuara u shfaq dukshëm më superiore, ndonëse fati nuk ishte në favor të saj dhe sfida përfundoi në barazim 2:2. Kosova zhbllokoi rezultatin në minutën e 41-të, kur qendërmbrojtësi Amir Rrahmani kërceu më shumë se të gjithë në zonë dhe shënoi me një goditje të bukur me kokë, duke çuar skuadrën në dhomat e zhveshjes, me epërsinë e një goli.

 

Barazimi i danezëve erdhi në pjesën e dytë, kur Herolind Shala shkaktoi një 11-metërsh të pafat, pasi rrëshqiti në zonë dhe mori edhe këmbën e kundërshtarit, ndërsa Ujkani nuk arriti të ndalë goditjen e Cristian Eriksen. Më herët topin e kishte humbur Edon Zhegrova. Megjithatë vetëm tre minuta më vonë, Kosova ndërtoi një aksion model, me protagonistë Arbër Zenelin dhe Bersant Celinën, ndërsa ishte pikërisht ky i fundit, që shënoi për herë të dytë në portën e Danimarkës, duke rikthyer epërsinë e ndeshjes, derisa atmosfera në stadiumin "Fadil Vokrri" ishte e mrekullueshme.

Kur dukej se gjithçka do të mbyllej me fitoren e "Dardanëve", një shpërqendrim i tyre në minutën e parë shtesë, bëri që Hojbjerg të gjendej i lirë dhe të mposhtte Samir Ujkanin për herë të dytë, duke vulosur barazimin e sfidës. Ky ishte testi i parë për 2019- ën i Kosovës, që vetëm tre ditë më vonë do të përballet me Bullgarinë në ndeshjen e parë eliminatore të Euro 2020-ës. Challandes dhe Ujkani, të kënaqur me paraqitjen Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, është shprehur i kënaqur me barazimin ndaj Danimarkës. "Mendoj se mund të jemi të lumtur me këtë ndeshje dhe qartë, ishte ndeshje intensive. Për mua, ekipi bëri punë shumë të mirë. Patëm disa raste të mira. Shënuam dy, pësuam dy kundër një ekipe shumë të fortë. Mendoj se ishte një performancë shumë e mirë ekipore dhe jam i kënaqur", ka thënë ai pas ndeshjes.

Ai është shprehur se i vjen keq që Kosova e lëshoi ndeshjen nga duart në minutat shtesë, por ka shtuar se është i lumtur me paraqitjen. "Për mua rezultati s'ishte në plan të parë, por performanca ndaj një skuadre të fortë. Në mbrojtje ishim të mirë dhe po ashtu edhe në fazën sulmuese. Patëm raste dhe treguam lojë të mirë. Kjo ishte më e rëndësishmja", ka shtuar ai. Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani, ishte i kënaqur me paraqitjen në këtë ndeshje. "Besoj se paraqitja ka qenë perfekte, pasi jemi vendosur mirë taktikisht, jemi treguar agresivë dhe jemi angazhuar maksimalisht. Morëm dy gola të lehtë, që mendoj se ndikoi edhe përvoja, por jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë kështu. Unë luaj në Turqi, por thuajse çdo ditë marr telefonata nga Italia, nga njerëz të sportit që më kërkojnë informacione, sepse ndihen të habitur me këtë realitetin tonë. Megjithatë, ne duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të mos shohim këto gjëra", deklaroi Ujkani pas ndeshjes. Schmeichel: Rezultat real Numri një i Danimarkës, Kasper Schmeichel, e ka quajtur rezultat real të ndeshjes me Kosovën, rezultatin 2:2. Ai e quajti ndeshje të vështirë atë për Kosovën.

Por, portieri i Leicester-it është arsyetuar me faktin se "ekipi kombëtar i Danimarkës ka kohë që nuk ishte mbledhur". "Ishte një lojë e vështirë për ne, por ishte një kohë e gjatë që nuk patëm luajtur së bashku. Kosova luajti shumë mirë, barazimi është rezultat real i ndeshjes", ka thënë ai. Ai ka folur edhe për ndeshjen me Zvicrën, në kuadër të kualifikimeve për "Euro 2020". "Ishim të fokusuar në ndeshjen ndaj Kosovës, nesër (sot) do ta analizojmë këtë lojë dhe të shohim gabimet.

(Kosova Sot)