Milaim Rama, futbollisti i parë nga Kosova që luajti për Zvicrën

  • 22 March 2019 - 18:44
Milaim Rama, futbollisti i parë nga Kosova që luajti për Zvicrën

Përfaqësuesja e Zvicrës është e “populluar” sot nga futbollistë shqiptarë. Por, Milaim Rama është i pari që u ishte bashkuar “Helvetikëve”

Milaim Rama është i veçantë.

Ai është shqiptari i parë nga Kosova që ka luajtur për Përfaqësuesen e Zvicrës.

Magazina zvicerane “Blick” e ka realizuar një intervistë me 43 vjeçarin, i cili flet për eksperiencën e tij dhe të futbollistëve tjerë shqiptarë që luajtën dhe luajnë për “Helvetikët”.

Milaim, ti ishe futbollisti i parë kosovar që ke luajtur në Përfaqësuesen e Zvicrës. A ua hape kështu dyert futbollistëve tjerë si Shaqiri, Xhaka e të tjerët?

Rama: Mendoj se po. Unë isha i pari. Pas meje erdhi Valon Behrami, e më pas djelmoshat tjerë. Mendoj se një ëndërr u bë realitet për ta.

Ata kanë mundur të luanin për Shqipërinë po ashtu. A ke pasur mundësi ta bësh ti këtë?

Rama: Federata Shqiptare e Futbollit më kishte kontaktuar, por një gjë e tillë nuk ishte konkretizuar. Dhe ishte e qartë për mua se, nëse do ta merrja një ftesë nga Zvicra, do ta pranoja atë. Ndihem krenar që i kam zhvilluar shtatë ndeshje ndërkombëtare me Zvicrën. Për këtë më duhet t’i jem falënderues nga zemra trajnerit Kobi Kuhn.

Si fëmijë, a e kishe imagjinuar se një ditë do të luaje për Zvicrën?

Rama: Asnjëherë në jetë. Unë e kam kaluar rininë në Kosovë. Atje kemi luajtur në rrugë. Kur kam ardhur në Zvicër, e nisa karrierën në ligën e pestë, me ekipin Interlaken. Më pas shkoi gjithçka shpejt. Ishte si një mrekulli. Thuni erdhi dhe më transferoi. Në vitin 2002 në kaluam nga liga e dytë në të parën.

Dhe ti e shënove golin vendimtar për futje në lifë kundër Wintherturit…

Rama: Po, ishte goli më i rëndësishëm për mua.

Si je pranuar si kosovar shqiptar në Kombëtaren e Zvicrës?

Rama: Mjaft mirë. Nuk kishte të bënte me nacionalitetin. Unë e fitova besimin e ekipit me golat e mi.

Si e pe shqiponjën dykrenare gjatë Botërorit 2018?

Rama: Oh, kishte shumë emocione në atë lojë, sepse lojtarët nuk kanë menduar për pasojundshme. Ekziston një presion i madh kur shënon gol në një ndeshje të tillë. Ishte një gjest që i kishte bërë shumë kosovarë dhe shqiptarë krenarë. Mirëpo, edhe më i madh ishte gëzimi për fitore. Mendoj se, nëse do të fitonim ndaj Suedisë, nuk do të flitej më tema e shqiponjës.

Çfarë po bën sot?

Rama: Unë punoj në një industri sigurimesh dhe po punoj për t’u bërë menaxher i lojtarëve. Ndër të tjera, unë luaj ende me ekipin e seniorëve të Mitchellen FC.

A je golashënues edhe aty?

Rama: Jo, mundohem t’i shërbej të tjerët me topa. Kam shënuar mjaftueshëm gola në karrierën time. 

(Kosova Sot)