Kosova në ranglistën e FIFA-s: Si do të ndikojë rezultati i ndeshjes kundër Bullgarisë
Ndeshja kundër Bullgarisë do të jetë shumë e rëndësishme për Kosovën pasi që aty skuadra e Challandes do ta nisë rrugëtimin drejt kualifikim në EURO 2020.
Kjo ndeshje, e cila do të zhvillohet të hënën, do të ketë mjaft shumë rëndësi edhe për rangimin e Kosovës në FIFA pasi që rëndësia e ndeshjes vlerësohet me 25 pikë nga FIFA, në krahasim me 10 pikëshin e ndeshjes me Danimarkën.
Nëse Kosova fiton në këtë ndeshje, ajo do t’i fitojë 19.25 pikë, pasi që edhe Bullgaria ka rangim mjaft të mirë në FIFA. Ajo radhitet në pozitën e 48-të, me gjithsej 1425 pikë të grumbulluara.
Në rastin e barazimit, Kosova i fiton 6.75 pikë, ndërsa në rast disfate i humb 5.75 pikë. Kosova aktualisht i ka 1113 pikë dhe radhitet në pozitën e 130-të.
Nga ndeshja me Danimarkën, Kosova i fitoi 3.6 pikë, të cilat së bashku me pikët që fitohen apo humben nga ndeshja me Bullgarinë do t’i shtohen pikëve aktuale, 1113.
Sipas rregullave të reja të FIFA-s për këtë ranglistë, ndeshjet miqësore kanë më pak vlerë sesa ato me karakter garues. Në numrin e pikëve të fituara nga secila ndeshje ndikon edhe niveli i kundërshtarit.
Algoritmi i FIFA-s i grumbullon pikët sipas formulës së paraqitur më poshtë:
P=Pmëparshme+R*(W-We)
Me shkronjën P shënohet numri i pikëve total.
Pmëparshme – Pikët në ranglistën e FIFA-s, para fillimit të kësaj ndeshjeje
R – Rëndësia e ndeshjes
R=5 për ndeshjet miqësore jashtë kalendarit të ndeshjeve ndërkombëtare
R=10 për ndeshjet miqësore brenda kalendarit të ndeshjeve ndërkombëtare
R=15 për ndeshjet e fazës së grupit në Ligën e Kombeve
R=25 për ndeshjen eliminatore dhe të play-offs në Ligën e Kombeve
R=25 për ndeshjet kualifikuese në garat e konfederatave dhe për kualifikim në Kupën e Botës
R=35 për ndeshjet e fazës eliminatore në garat e konfederatave deri në fazën çerekfinale
R=40 për ndeshjet e fazës eliminatore në garat e konfederatave pas fazës çerekfinale
R=50 për ndeshjet e Kupës së Botës deri në fazën çerekfinale
R=60 për ndeshjet e Kupës së Botës pas fazës çerekfinale
W – Rezultati i ndeshjes
Fitore=1; Barazim=0.5; Disfatë=0
We – Rezultati i pritur e ndeshjes
dr– diferenca në rangim mes dy skuadrave
FIFA e përditëson ranglistën e kombëtareve pas cdo afati të ndeshjeve kombëtare. Që nga koha kur Bernard Challandes e ka marrë drejtimin e Kosovës, “Dardanët” vazhdimisht janë ngritur në këtë ranglistë, ndërsa tani e mbajnë pozitën më të lartë ndonjëherë, atë të 130-të.
(Kosova Sot)