Tifozi i Lakers i fiton 45 mijë dollarë për një kosh spektakolar
Justin Jimenez u largua nga palestra “Staples” 45 mijë dollarë më i pasur, pasi arriti të tregohet i saktë në një goditje nga mesi i fushës.
Kishin kaluar shtatë vjet që nga hera e fundit që Justin Jimenez i kishte marrë djemtë e tij në një ndeshje të Los Angeles Lakers. Këtë herë, ishin djemtë e tij ata që u përkujdesen për biletat.
Ata ia blenë babait të tyre biletat për ditëlindjen e tij dhe fati e deshi që pikërisht Jimenezit t’i jepej mundësia për t’i fituar 45 mijë dollarë me një kosh, edhe pse ai nuk e pranoi lehtë këtë ofertë.
“Unë mendova me vete: ‘Djemtë janë këtu, ne erdhëm nga San Diego – Sa kam mundësi që ta shënoj këtë kosh?. Askush nuk priste që unë të kish sukses, kështu që thashë pse jo”, ka thënë Jimenez.
46-vjeçari, inxhinier, kishte shpresuar vetëm që të mos tregohej shumë i dobët dhe ta gjuante topin krejtësisht gabimisht. Mirëpo, në vend të kësaj, ai bëri shumë më shumë se kaq, duke u treguar i sakte nga mesi i fushës.
Palestra “Staples” i kishte sjellë edhe më parë fat të mirë familjes Jimenez. Ata kishin blerë bileta për shfaqjen e Drake në tetor dhe ekipi i repistit kanadez ia kishte ofruar atyre biletat VIP falas. Tani, Jimenez u bë 45 mijë dollarë më i pasur, falë një koshi.
“Është e pabesueshme. Nuk mund ta besoj këtë që ndodhi”, ka thënë Jimenez.
(Kosova Sot)