Problemet financiare të klubeve

  • 29 March 2019 - 10:08
Problemet financiare të klubeve

Ligji i Sponsorizimit ka mbetur vetëm në letër

Klubet janë në gjendje në rëndë, derisa Ligji për Sponsorizime që është dashur të jetë shpëtim, ka mbetur vetëm në letër dhe nuk po funksionalizohet. Skuadrat po e kanë shumë vështirë të gjejnë sponsorë, derisa edhe donatorët në vitet e fundit kanë hezituar të investojnë, pasi nuk përfitojnë shumë

Pasluftës kishte investime të mëdha në sport. Shumë donatorë investuan para të mëdha në sportin e Kosovës, por me kalimin e kohës, janë tërhequr, për shkak se nuk kishte shumë interes, derisa kishte edhe shumë probleme tjera. Ligji për Sponsorizime ishte shpëtim për klubet e Kosovës, pasi kush investon do të lirohej me 30 % tatim. Kjo ishte model edhe për rajonin, megjithatë, ka mbetur vetëm në letër dhe për ‘shkak’ të një neni nuk po zbatohet.

Klubet duhet të privatizohen

Trajneri shumëvjeçar i volejbollit, Xhavit Kajtazi, ka punuar me dekada në këtë sport, derisa ka folur sa është e vështirë që klubet të gjejnë sponsorë në ditët e sotme.“Realiteti i tashëm po dëshmon se pak skuadra kanë gjetur udhën e shpëtimit, duke siguruar donacione nga afaristët vendorë e ndërkombëtarë, pavarësisht se mbase përpjekjet dhe dëshirat e tyre kanë mbetur pa u sendërtuar. Tash për tash bashkëpunimi i sponsorëve dhe donatorëve me klubet sportive është në fillimet e jetësimit të akteve ligjore e nënligjore, por që ende po hezitojnë ngase nuk e kanë të qartë se cilat benifite do t’i gëzojnë. Tash për tash në këtë fushë prijnë xhudoja, futbolli dhe basketbolli, ndërsa vështirësitë janë të pranishme pothuajse në të gjitha sportet. Unë mendoj se shpëtimi i vetëm për klubet sportive është privatizimi i tyre, por edhe partneriteti publiko-privat. Në të kundërtën, gjithçka do të mbetet në mëshirën e drejtorive të komunave, ‘tek-tuk’ të ndonjë donatori, që në njëfarë mënyre mundëson zhvillimin e garave sa për të thënë, pa ndonjë synim më të madh, duke zhvilluar veprimtarinë sipas thënies famoze “e rëndësishme është pjesëmarrja””, është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

Investimi më i qëlluari sponsorëve është fusha e sportit

Klubet e kanë shumë vështirë të funksionojnë në këtë gjendje.“Një zot e di se si skuadrat e lidhin muajin me muaj. Stërvitjet gjatë katër javëve, ndeshjet, kanë një kosto të lartë të shpenzimeve, që për shumë sporte është shumë vështirë të mbulohen. Probleme kanë më së shumti skuadrat e futbollit, por edhe ato të basketbollit, të hendbollit dhe të volejbollit, sikundër që po këto telashe i kanë të gjitha klubet e sporteve të tjera. Tash për tash kemi këtë gjendje. E ardhmja po shpresojmë të jetë më e mirë. Po shpresoj që sponsorët do t’i ofrohen sportit dhe ta ndihmojnë të mbijetojë.

Investimi më i qëlluari sponsorëve është fusha e sportit. Botës kemi mundësi t’i japin edhe shumë Majlinda (Kelmendi) të tjera. Të paktën me këtë veprimtari mund të jemi konkurrues në rrafshin ndërkombëtar”, është shprehur tutje Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”. Sa do të motivoheshin sportistët, por edhe trajnerët nëse financat do të ishin më të mira.

“Sigurisht se kjo është shumë e rëndësishme. Sa më të kamur financiarisht që të jenë, aq më të motivuar për punë dhe rezultate do të jenë. Për këtë arsye edhe memorandumi i bashkëpunimet të MKRS-së me sportistët dhe trajnerët, që kap shumën e përgjithshme prej 70 mijë eurove, i përket formës kryesore (jo të vetme) të motivimit për të arritur rezultate në garat ndërkombëtare dhe jo vetëm.

Mirëpo, unë shoh një mangësi për sa i përket përkrahjes që bënë MKRS-ja për sportistët e Kosovës. Me vite këto benifite po i gëzojnë vetëm përfaqësuesit e sporteve vetjake (me meritë) dhe jo edhe ata të sporteve grupore. Unë mendoj se duhet të gjendet një shteg që këtë përkrahje (motivim) ta gëzojnë edhe pjesëtarët e sporteve grupore, pra edhe trajnerët. Pse mos të gëzojnë këtë të drejtë edhe talentet e futbollit, basketbollit, volejbollit, hendbollit dhe trajnerët e tyre. Mendoj se MKRS-ja duhet ta shtrojë edhe këtë çështje dhe të gjej formën e futjes në projektet e përkrahjes së sportistëve dhe trajnerëve edhe nga sportet grupore”, ka shtuar tutje trajneri i njohur për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)