“Majlindën ta mbajmë para duarsh”

  • 01 April 2019 - 10:03
“Majlindën ta mbajmë para duarsh”

Kujdes të veçantë ndaj sportistëve elitarë

Majlinda Kelmendi është kampione evropiane, botërore dhe olimpike, si dhe ka fituar shumë medalje të tjera në karrierën e saj. Flamuri i Kosovës ka valuar në shumë shtete për ‘shkak’ të saj. Gjithsesi përkrahja financiare nuk është në nivelin që e meriton, sepse tashmë ka vetëm një sponsor, derisa para Lojërave Olimpike kishte tre

Xhudoja është sporti që i ka sjellë më së shumti medalje Kosovës. Pothuajse në çdo garë që kanë marrë pjesë, janë kthyer me medalje, duke dominuar në këtë sport në arenën ndërkombëtare. Suksesin më të madh e ka arritur Majlinda Kelmendi. Ajo fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike, një sukses që e ndërrojnë shumë sportistë botëror.

Gjithashtu Kelmendi është kampione evropiane e botërore, si dhe ka fituar shumë medalje të tjera. Si për çudi, para garave në Rio, ajo kishte tre sponsorë, derisa pasi fitoi medaljen e artë, ka vetëm një. “Ne si ekip, pavarësisht që i kemi sjellë Kosovës krejt medaljet e mundshme, nuk është që e kemi një përkrahje aq të madhe prej sponsorëve në Kosovë.

Nuk e dimë as vet faktin pse, por shumë vështirë është për të gjetur sponsorë dhe për të gjetur njerëz. Dihet që kur ke përkrahje, kur të mbështesin njerëzit, ke edhe motiv më të madh për të punuar“, ka thënë Majlinda Kelmendi. Ajo tregoi prej kur është bërë kampione olimpike dhe nga viti 2016, nuk ka ardhur asnjë sponsor, përkundrazi nga tre sponsorë, sot e ka vetëm një. Trajneri i saj, Driton Kuka theksoi se pushteti qendror po i përkrah ekipet sportive në Kosovë, por jo edhe komuna dhe bizneset.

Duhet të ndihmohet në gjetjen e donatorëve

Gazetari shumëvjeçar i sportit vendor, Xhavit Kajtazi, shprehet se Kelmendi meriton përkrahje të madhe financiare. “Çdo paraqitje sportive e ka edhe koston e saj financiare, qoftë të jetë zhvilluar në rrafshin kombëtar, qoftë në atë ndërkombëtar. Për më tepër, sportistët tanë elitarë që janë në majat e botës, me shumë tituj ndërkombëtarë, gjithçka që kanë arritur e kanë bërë mbi të gjitha falë punës profesionale dhe të programuar, duke u mbështetur financiarisht.

Pra, asnjë hap përpara nuk ka pasur mundësi të bëhet pa një plan të detajuar financiar, që edhe në fushën ne sporti quhet Plan Afarist, i cili përfshinë në imtësi të gjitha pozicionet financiare që duhet të sendërtohen”, është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”, duke shtuar: “Unë mendoj se për Majlindën duhet të ketë një Plan Afarist, që ka një çmim të saktë dhe që mundëson të kryhen të gjitha obligimet ndaj saj, shtabit teknik dhe stafit tjetër përcjellës.

Majlinda, por jo vetëm ajo, janë pasuri kombëtare dhe shtetërore dhe është obligim kombëtar dhe shtetëror që ajo t’i ketë të gjitha kushtet që i duhen një kampioneje olimpike, botërore e evropiane, pa bërë as më të voglin gabim, që do të ishte i pafalshëm për kombin dhe për shtetin.

Është, pra, obligim kombëtar dhe shtetëror që për Majlindën dhe jo vetëm, të ngritët një ekip i tërë ekspertësh, që ajo të ndihmohet edhe në gjetjen e donatorëve dhe sponsorëve, e që ajo të mos ketë brengën nëse ka apo nuk ka mjete financiare që të përgatitet për të gjitha garat që përfshijnë ajo javore, mujore, vjetore, dhe të një cikli olimpik”, është shprehur tutje Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

Meritojnë përkrahje të madhe

Pasi po kanë suksese në arenën ndërkombëtare, atëherë, sigurisht se përkrahja duhet të jetë e madhe. “Sigurisht që e meritojnë. Të gjithë: që nga Majlinda Kelmendi, e deri te xhudistja apo xhudisti më i vogël, që sapo ka hedhur hapin e tij të karrierës, e që në sportin elitar vështirë se mund të jetë më i gjatë se dhjetë vjet. Duhet gjithsesi të ndihet dora e shtetit, sepse pa këtë dorë vështirë se mund të arrijmë rezultate të nivelit olimpik, botëror dhe evropian”, ka theksuar tutje Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)