Dështon “Nikli”, përfiton Prishtina

  • 01 April 2019 - 10:08
Dështon “Nikli”, përfiton Prishtina

Java e 25-të në elitën e futbollit zhvillohet këtë mesjavë

Prishtina ka shënuar një fitore shumë të vlefshme në luftë për titullin e kampionit, duke e mposhtur Ballkanin në Therandë me rezultat 2:0. Në anën tjetër, një hap fals e ka bërë Feronikeli, që u ndal në barazim me Flamurtarin

Java e 24-t e Ipko Superligës së Kosovës në futboll, ashtu siç ishte paralajmëruar ka sjell disa ndeshje tejet interesante. Ishte pritur që kjo javë të sqaroj shumëçka sa i përket luftës për titull dhe mbijetesën, por ndodhi krejt e kundërta. Kampionati vetëm sa është komplikuar edhe më shumë dhe lufta pritet të jetë shumë e ashpër deri në fund.

Prishtina e Llapi nuk po lëshojnë pe duke i bërë presion Feronikelit, i cili këtë vikend nuk mundi të marrë më shumë sesa një barazim në sfidën e luajtur në Prishtinë përballë Flamurtarit. Skuadra e drejtuar nga Zekeria Ramadani pavarësisht presionit të madh që i bëri Flamurtarit asnjëherë nuk mundi ta gjejë rrugën e golit për t’u mbyllur ndeshja me barazim 0:0.

Prishtina me hapa të sigurt

Prishtina ka shënuar një fitore shumë të vlefshme në luftë për titullin e kampionit, duke e mposhtur Ballkanin në Therandë me rezultat 2:0, për të dëshmuar kështu që assesi nuk po dorëzohet në luftë për titullin e kampionit. Më i merituari për këtë fitore të rëndësishme për Prishtinën, e cila e mban në garë për titull, ishte Meriton Korenica, i cili shënoi të dy golat. Rezultati u zhbllokua në minutën e 71-të, kur Korenica shënoi një eurogol nga gjuajtja e lirë, derisa i njëjti futbollist e vulosi fitoren në minutën e 87-të, kur asistimin e mirë të Ergyn Ahmetit e shndërroi në gol me gjuajtje të fortë nga e majta.

Trepça’89 e fut në krizë Gjilanin

Gjilani ka barazuar para tifozëve të vet në duel me Trepçën ’89, me shifrat 1:1. Gjilanasit shënuan qysh në minutën e 2-të, kur Wilber Perez shënoi me kokë pas harkimit të Endrien Maganit.

Me epërsinë e një goli vendasit shkuan në pushim, por me të filluar pjesa e dytë, pikërisht në minutën e dytë të saj mitrovicasit arritën t’i barazojnë shifrat me golin e shënuar nga Hasan Hyseni, i cili përfitoi nga rrëmuja e krijuar para portës së vendasve dhe pa vështirësi e dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur njëherësh rezultatin përfundimtar të kësaj ndeshjeje.

Me këtë barazim Gjilani është futur në krizë dhe duket se do të këtë bukur shumë telashe në vazhdim. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, Drenica shënoi fitore me rezultat bindës në duel me KEK-un, 5:1. Golat për skuadrën mysafire i shënuan Qemail Elshani, Kreshnik Uka, Osman Mëziu, Atdhe Grajqevci e Nicholas Andres, ndërsa golin e vetëm për vendasit e shënoi Isa EminHaziri. Llapi ka shënuar fitore të rëndësishme në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren në duel me Lirinë, me rezultat 4:0.

Kësisoj, llapjanët e ruajnë hapin me skuadrën kryesuese në renditje, Feronikelin në garën për titull, derisa prizrenasve pas kësaj humbjeje iu vështirësohen edhe më shumë gjërat në luftën për mbijetesë. Serinë e golave për llapjanët e hapi Ahmed Januzi. I njëjti futbollist e shtoi epërsinë në 2:0 në minutën e 77-të, derisa më pas shënuan edhe Remzifaik Selmani, në minutën e 80-të dhe Hamdi Namani në minutën e 84-t. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër, Drita fitoi në duel me Ferizajn, me rezultat 2:1. Golat për mysafirët i shënuan Kyrian Nëabueze e Xhevdet Shabani, derisa golin e vetëm për ferizajasit e realizoi Qëndrim Dautaj.

(Kosova Sot)