Manchester United humb ndaj Wolves, ngel jashtë top katërshes

  • 02 April 2019 - 22:56
Manchester United humb ndaj Wolves, ngel jashtë top katërshes

Wolves e ka mposhtur Manchester Unitedin 2:1, falë një autogoli nga Chris Smalling dhe përjashtimit të Ashley Young herët në pjesën e dytë, duke e lënë jashtë zonës për kualifikim në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Chris Smalling shënoi në portën e vet rreth dhjetë minuta para fundit, pasi Ashley Young ishte përjashtuar nga loja për një faull të rrezikshëm, duke ia dhuruar Wolves fitoren që e ngre atë në pozitën e shtatë në Premierligë.

Kjo humbje nënkupton se skuadra e Ole Gunnar Solskjaer ngel në kuotën e 61 pikëve në pozitën e pestë në renditje, aq sa ka Tottenham në pozitën e katërt dhe dy më pak se Arsenali në pozitën tretë, por këto dy të fundit kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.

Scott McTominay e kaloi Unitedin në epërsi pas vetëm një çereku lojë, duke i dhënë një fillim të mbarë një ndeshjeje që në fund u shndërrua në zhgënjyese për “Djajtë e kuq”.

Diogo Jota e barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 25-të, pas një pasimi të bukur të Raul Jimenez.

Gjërat u përkeqësuan për Unitedin kur Ashley Young mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua pas ndërhyrjes së rrezikshme ndaj kundërshtarit.

Chris Smalling shënoi në portën e vet rreth dhjetë minuta para fundit. Qendërmbrojtësi anglez ishte pranë një autogoli tjetër pak minuta më vonë, por David de Gea reagoi duke e shpëtuar portën.

Ivan Cavaleiro qëlloi shtyllën në minutat shtesë të lojës. 

(Kosova Sot)