Real Madridi i kërkon 500 milionë euro për Varanen

  • 03 April 2019 - 09:47
Real Madridi i kërkon 500 milionë euro për Varanen

Cilido klub që dëshiron ta transferojë qendërmbrojtësin francez të Real Madridit do të duhet të shpenzojë një shumë marramendëse parash, pasi që klubi madrilen nuk dëshiron ta shesë futbollistin.

Real Madridi do t’i kërkojë klubeve që dëshirojnë ta transferojë Raphael Varanen gjatë afatit kalimtar të verës ta paguajnë shumën e plotë të klauzolës për shkëputjen e kontratës, e cila është e vendosur në 500 milionë euro

“Los Blancos” nuk dëshirojnë ta shesin Varanen, i cili mbetet pjesë kyçe e skuadrës së Real Madridit pas triumfit me Francën në turneun e Kupës së Botës, që u mbajt verën e kaluar në Rusi.

Fakti që Real Madridi nuk do të hyjë në negociata për ta ulur këtë çmim u dërgon mesazh të qartë klubeve të tjera se Varane nuk është për shitje. Madje, klubi ka biseduar edhe me Varanen dhe i ka treguar atij se roli i tij mbetet i madh në skuadër.

E përditshmja franceze, L’Equipe raportoi se Varane është duke dyshuar për të ardhmen e tij në klub dhe është i gatshëm ta përjetojë një sfidë të re në karrierë, përkundër kthimit të bashkëkombësit të tij, Zinedine Zidanit, në pozitën e trajnerit.

Kontrata aktuale e mbrojtësit me Real Madridin është e vlefshme deri në vitin 2022. Këtë kontratë, francezi e kishte nënshkruar në shtator të vitit 2017 dhe në të është e vendosur klauzola 500 milionëshe.

Kjo nuk është hera e parë që Varane ka menduar për një largim nga Bernabeu. Ai kishte menduar ta bënte këtë gjë edhe në sezonin 2015/16, kur Sergio Ramosi dhe Pepe ishin titullar në qendër të mbrojtjes.

Varane nuk po luante për aq shumë minuta sa ai dëshironte dhe për këtë arsye kishte bërë të ditur se mund të largohet nga klubi madrilen.  Manchester Unitedi ishte interesuar për të, por më vonë ai e kishte rinovuar kontratën me “Los Blancos”. Që nga transferimi i tij në Madrid në vitin 2011, Varane i ka fituar dy tituj të La Ligës, katër tituj të Ligës së Kampionëve, dy tituj të Super Kupës së Spanjës, një titull të Kupës së Mbretit, tre tituj të Super Kupës së Evropës dhe katër tituj të Kupës së Botës për Klube. 

(Kosova Sot)