Ndeshja Angli – Kosovë mund të luhet në stadiumin e Southamptonit

  • 03 April 2019 - 17:40
Ndeshja Angli – Kosovë mund të luhet në stadiumin e Southamptonit

Stadiumi “St Mary’s” i Southamptonit është favorit për të qenë nikoqir i ndeshjes së Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020 mes Anglisë dhe Kosovës, sipas Press Association Sport.

Federata e Futbollit e Anglisë (FA), njoftoi në mars se ndeshja e tretë kualifikuese e Anglisë në shtëpi nuk do të luhet në stadiumin kombëtar “Wembley”, dhe tani sipas mediave në ishull, “Tre Luanët” ka shumë mundësi t’i mirëpresin “Dardanët” në “St Mary’s” më 10 shtator

Vitin e kaluar, përveç stadiumit kombëtar në Londër, Anglia zhvilloi ndeshjet e saj edhe në Leicester dhe Leeds.

Sipas Press Association Sport, bisedimet janë duke vazhduar mes FA-së dhe Southamptonit për zhvillimin e ndeshjes me Kosovën në “St Mary’s”, ku Anglia kishte barazuar 2:2 me Maqedoninë në vitin 2002.

Image

St Mary’s Stadium

Skuadra e Gareth Southgate e pret Bullgarinë më 7 shtator në “Wembley” në një ndeshje të vlefshme për Grupin A kualifikues ku natyrisht bën pjesë edhe Kosova.

Kosova do të luajë në udhëtim kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë në qershor, para se ta presë Republikën e Çekisë në “Fadil Vokrri” në shtator.

Tri ditë më vonë, verdhekaltrit do të udhëtojnë drejt Anglisë për t’u përballur me “Tre Luanët”, mbase në “St Mary’s”.

Kosova barazoi 1:1 me Bullgarinë në ndeshjen e parë hapëse në kualifikime për EURO 2020, dhe ka një pikë në pozitën e tretë. Grupit i prin Anglia me 6 pikë e përcjell nga Bullgaria me 2, por këto dy kombëtare kanë zhvilluar nga një ndeshje më shumë se Kosova. 

(Kosova Sot)