Sot Kosova pret lajm të mirë nga FIFA

  • 04 prill 2019 - 09:50
Sot Kosova pret lajm të mirë nga FIFA

Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, do ta publikojë sot ranglistën e re për ekipet kombëtare, pas ndeshjeve të marsit.

Kosova i zhvilloi dy ndeshje gjatë afatit të ndeshjeve kombëtare. Edhe pse këto dy ndeshje përfunduan barazime, “Dardanët” presin që të ngrihen edhe më lart në ranglistën e FIFA-s.

Fillimisht, më 21 mars, skuadra e Bernard Challandes, që aktualisht renditet në pozitën e 130-të, e zhvilloi një ndeshje miqësore kundër Danimarkës, që pozicionohet në vendin e dhjetë në këtë renditje.

Ndeshja përfundoi me rezultat 2:2 dhe “Dardanët” kishin qenë shumë afër për ta siguruar fitoren, mirëpo Danimarka e shënoi golin e barazimit në minutat shtesë të ndeshjes. Edhe pse barazim, Kosova do të fitojë pikë nga kjo ndeshje pasi që kundërshtari i saj ishte me renditje shumë më të mirë sesa kosovarët.

Edhe ndeshja e radhës, kundër Bullgarisë, përfundoi baras, me rezultat 1:1. Në këtë ndeshje, Kosova e filloi rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020. Pasi që ndeshja nuk ishte miqësore dhe Bullgaria ka renditje më të mirë në listën e FIFA-s, Kosova do të fitojë pikë edhe nga kjo ndeshje.

Aktualisht, Kosova e ka renditjen më të mirë që e ka pasur ndonjëherë në këtë listë. Për shkak të rezultateve të mira të siguruara nga skuadra e Bernard Challandes, ekipi kombëtar i Kosovës është ngritur vazhdimisht dhe sot pritet të vazhdojë ky ritëm.

Kosova është në  vendin e 130-të në botë dhe sipas të gjitha gjasave në ranglistën e re, e cila pritet të zbulohet të enjten, ekipi kosovar do të pozicionohet në vendin e 128-të.

Ndërkohë, Shqipëria pritet të pësojë rënie. Përkundër fitores ndaj Andorrës humbja nga Turqia me shumë gjasë do t’i kushtojë ekipit kuq e zi me një rënie. Nga pozita e 61-të Shqipëria pritet të bie një pozitë më poshtë, respektivisht në vendin e 62-të. 

(Kosova Sot)