Spalletti kërkon më shumë nga Icardi

  • 04 April 2019 - 09:54
Spalletti kërkon më shumë nga Icardi

Sulmuesi argjentinas e shënoi një gol dhe e bëri një asist në ndeshjen kundër Genoas, mirëpo trajneri i tij dëshiron që ai të përfshihet më shumë në ndeshje.

Trajneri i Interit, Luciano Spalletti, e lavdëroi Mauro Icardin për paraqitjen e tij, pas kthimit të tij në skuadrën e zikaltërve. Mirëpo, ai ka bërë të ditur se kërkon edhe më shumë nga sulmuesi.

Icardi nuk kishte luajtur për Interin që nga 9 shkurti, pasi i ishte marrë shiriti i kapitenit nga klubi. Ky veprim kishte ardhur pasi agjentja dhe bashkëshortja e tij, Wanda Nara, nuk pajtohej me klubin për një kontratë të re. Megjithatë, javën e kaluar ai u kthye në stërvitje për klubin dhe mbrëmë luajti në ndeshjen kundër Genoas.

Në këtë ndeshje, Icardi e shënoi një gol dhe e asistoi një tjetër, si dhe ndikoi që edhe Cristian Romero të ndëshkohet më karton të kuq, në fitoren me rezultat 4:0 të Interit.

Ky rezultat bëri që skuadra e Spallettit të kalojë katër pikë para rivalit të qytetit, Milanit, në tabelën e Serisë A. Trajneri ishte më i përqendruar te paraqitja kolektive e skuadrës së tij, sesa te ajo individuale e Icardit.

“Mendimet e mia janë për të gjithë skuadrën dhe për një paraqitje të mrekullueshme e të pjekur. Lojtarët si Mauro gjithmonë shënojnë gol dhe asist, por varet nga skuadra që ta menaxhojë ndeshjen”, ka thënë Spalletti.

“Ai duhet të jetë më i përfshirë dhe të lidhet më shumë me të gjithë skuadrën. Ekipi e vendos atë në një pozitë për të shënuar. Nëse puna bëhet nga nëntë lojtarë e jo nga dhjetë, më pak arrihet”.

“Por, Mauro luajti mirë. Ai luajti me personalitet të mrekullueshëm dhe mund ta kishte shënuar edhe një tjetër gol”. 

(Kosova Sot)