Legjenda e Realit: Zidane nuk do vëmendje, ngjason shumë me këtë trajner

  • 04 prill 2019 - 17:20
Legjenda e Realit: Zidane nuk do vëmendje, ngjason shumë me këtë trajner

Zinedine Zidane është si ish-trajneri i Real Madridit, Vicente del Bosque, për mënyrën se si e shmang vëmendjen, thotë portieri Iker Casillas. Ish-kapiteni i të bardhëve i krahasoi ata, ngaqë ka luajtur me të dy gjatë eksperiencës 16-vjeçare në Madrid.

Casillas ishte portier i “Los Blancos”, kur Del Bosque i drejtoi kryeqytetasit dhe i çoi dy herë drejt lavdisë, duke fituar La Liga-n dhe Ligën e Kampionëve në mes të viteve 1999 dhe 2003. Zidane ka provuar të jetë po aq i suksesshëm në Europë, duke fituar tri herë radhazi Ligën e Kampionëve me Real Madridin, para se të rikthehej befasisht në drejtim, muajin e kaluar. 

"Kapërcimi nga lojtar në trajner nuk është aspak i lehtë, - tha Casillas. - Nëse ke qenë më i miri, ose një nga më të mirët e të gjitha kohërave si futbollist, e ke të vështirë ta bësh këtë lëvizje, se mos zhgënjen. Trajneri është tjetër gjë dhe koha ka treguar se nuk lidhet shumë me faktin se sa i mirë ke qenë duke luajtur në fushë. 

Zidane ka shkëlqyer në të dyja aspektet. Ai gjithmonë duket të jetë në kontroll të situatës. Eshtë një trajner, që rri në kontakt të rregullt me lojtarët e tij. Ai është i lumtur me yjet që stërvit. Kur e shoh në konferencat për shtyp, ai më kujton Vicente del Bosque. 

Vicente nuk ishte kurrë lloj i trajnerit, që donte të vihej vetë në qendër të vëmendjes. Ai ishte i lumtur ta linte këtë privilegj për lojtarët. I tillë ishte në kohën, kur ka bërë trajnerin tonë te Real Madridi. Për mua, edhe Zidane është shumë i ngjashëm".