“Skifterët” dhe “Intelektualët” pushtojnë kryeqytetin

  • 06 April 2019 - 08:57
“Skifterët” dhe “Intelektualët” pushtojnë kryeqytetin

Feronikeli e Prishtina ndeshjet e tyre i zhvillojnë ditën e hënë

Për herë të parë në histori të kampionatit të Kosovës, derbi ndërmjet dy skuadrave të Anamoravës, Gjilanit e Dritës, do të zhvillohet në Prishtinë. Gjithçka është gati për spektaklin e madh, ashtu siç dinë të bëjnë tifozeritë, “Skifterët” e Gjilanit dhe “Intelektualët” e Dritës. Këto dy tifozeri kanë paralajmëruar numër rekord të tifozëve që do të udhëtojnë drejt kryeqytetit

Lufta e ashpër dhe shumë e komplikuar, si për titull ashtu edhe për ekzistencë, po bën që fundi i këtij kampionati në elitën e futbollit kosovar të cilësohet tejet joshës dhe interesant. E tillë pritet të jetë edhe java e 26-të, e cila do t’i sjellë disa ndeshje jashtëzakonisht të forta, të cilat kanë të bëjnë me luftën për titull dhe ekzistencë. Pa asnjë dyshim e gjithë vëmendja këtë herë do të jetë në Prishtinë, aty ku zhvillohet derbi më i madh shqiptar, Gjilani – Drita. Në anën tjetër për dy skuadrat e kreut, Feronikelin dhe Prishtinën, kjo xhiro ka rezervuar udhëtime shumë të vështira.

Feronikeli udhëton drejt Prizrenit për t’u ndeshur me Lirinë, ndërsa Prishtina në Ferizaj, për t’u ballafaquar me Ferizajn. Derisa “Nikli” e Prishtina po luftojnë për titull të kampionit, Liria e Ferizaj të vetmin synim e kanë mbijetesën dhe në rast humbjeje në këto ndeshje atëherë e ardhmja e tyre në shoqërinë elite do të jetë në dyshim. Për dallim nga Feronikeli dhe Prishtina, skuadra e tretë në luftë për titull, Llapi, këtë vikend ka punë shumë më të lehtë, pasi ndeshet me KEK-un, skuadër kjo që tashmë duket se ka hequr dorë nga mbijetesa. Gjithsesi, ballafaqime shumë interesante priten edhe te skuadrat që po luftojnë për mbijetesë.

Vikend i nxehtë

Për herë të parë në histori të kampionatit të Kosovës, derbi ndërmjet dy skuadrave të Anamoravës, Gjilanit e Dritës, do të zhvillohet në Prishtinë. Në fakt Gjilani e Drita edhe më herët kanë luajtur në stadiumin e Prishtinës, por ajo ndeshje i ka takuar finales së Kupës së Kosovës, ndërsa kjo është përballja e parë kampionale që luhet ë Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, e cila zhvillohet të dielën nga ora 20:00. Përgatitjet të dyja skuadrat tashmë i kanë përfunduar dhe duket se gjithçka është gati për spektaklin e madh, ashtu siç dinë ta bëjnë tifozëritë “Skifterët” e Gjilanit dhe “Intelektualët” e Dritës.

Këto dy tifozëri kanë paralajmëruar një numër rekord të tifozëve që do të udhëtojnë drejt kryeqytetit, derisa taborët e dyja skuadrave kanë paralajmëruar se në fushë do të japin maksimumin për fitore. Për Dritën kjo ndeshje sa i përket pikëve nuk qon shumë peshë, por sigurisht që skuadra luan për krenarinë, derisa Gjilani përveçqë dëshiron t’i mposht rivalët e urryer, ai ka nevojë shumë edhe për pikë në luftë për mbijetesë.

Se kush do të festojë në fund mbetet të shihet, por një është e sigurt, kjo përballje do të ngjallë interesim të madh edhe jashtë vendit. Gjithsesi, më favorizuar është Drita, e cila ka komoditetin e pikëve, derisa është duke kaluar edhe në formë shumë të mira pasi ka 5 fitore, radhazi derisa Gjilani po kalon nëpër një formë të keqe të rezultateve.

Java mbyllet të hënën

Derisa derbi i kësaj jave ndërmjet Gjilanit e Dritës luhet të dielën, dita e shtunë është e rezervuar për dy ndeshje tjera Drenica – Trepça’89 dhe KEK-u – Llapi. Për Llapin kjo ndeshje vlerësohet si një sfidë e lehtë, por kështu nuk mund të thuhet edhe për ballafaqimin Drenica – Trepça’89 ku pikët për të dyja skuadrat janë tejet të nevojshme dhe me të drejtë pritet luftë e madhe për të.

Të dielën Ballkani e pret Flamurtarin dy skuadra këto që të vetmin qëllim e kanë mbijetesën, derisa dita e hënë është rezervuar për dy skuadrat e kreut Feronikelin e Prishtinën. Lideri i tabelës, Feronikeli që në dy javët e fundit po ka vështirësi të shënojë gol, duhet medoemos ta kalojë këtë minikrizë dhe në Prizren të shënojë fitore ndryshe e rrezikon shumë vendin e parë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Prishtinën e cila assesi nuk guxon të humbas ndaj Ferizajt, skuadër kjo që po lufton për mbijetesë. Se çfarë rezultate do të sjellin këto dy ndeshje mbetet të shihet pas 90 minutave të luftuara jashtëzakonisht shumë.

(Kosova Sot)