Bayerni e turpëron Dortmundin dhe e merr pozitën e parë në Bundesligë

  • 06 April 2019 - 20:49
Bayerni e turpëron Dortmundin dhe e merr pozitën e parë në Bundesligë

Bayern Munichu e ka fituar në mënyrë bindëse ndeshjen kundër Borussia Dortmundit, duke u rikthyer kështu në pozitën e parë të tabelës së Bundesligës.

Skuadra e Niko Kovacit siguroi fitore me rezultat 5:0 në ndeshjen kundër Dortmundit, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Allianz Arena”, në kuadër të xhiros së 28-të të Bundesligës.

Ky sezon i ligës gjermane ka pasur garë më të zjarrtë sesa sezonet e fundit për titullin e kampionit, mirëpo Bayerni e dëshmoi pikërisht pse është kampion në fuqi në këtë ndeshje, ku u tregua shumë i fortë për  djelmoshat e Lucien Favres.

Pas vetëm dhjetë minutave lojë, Bayerni arriti ta zhbllokojë rezultatin, përmes mbrojtësit Mats Hummelsit. Ndërsa, shtatë minuta më vonë Robert Lewandowski përfitoi nga gabimi i madh i mbrojtjes së Dortmundit dhe e dyfishoi epërsinë.

Për ta siguruar fitoren dhe për ta turpëruar kundërshtarin, Javi Martinezi e shënoi golin e radhës në minutën e 41-të, ndërsa dy minuta më vonë shënoi edhe Serge Gnabry.

Pjesa e dytë rezultoi të jetë më e mirë për mysafirët, të cilët megjithatë nuk arritën të shënojnë gol as në këta 45 minuta.  Por, skuadra e Kovacit arriti të shënojë përsëri për të kaluar në epërsi prej pesë golash.

Me këto tri pikë, Bayerni e merr kreun e tabelës, ndërsa Dortmundi zbret në pozitën e dytë, me vetëm një pikë më pak se kundërshtarët.

(Kosova Sot)