Ibrahimovic: Man United vs Barça është betejë mes Pogbës dhe Messit

  • 09 April 2019 - 14:19
Ibrahimovic: Man United vs Barça është betejë mes Pogbës dhe Messit

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Zlatan Ibrahimovic, ka parashikuar se çerekfinalja e Ligës së Kampionëve mes Manchester Unitedit dhe Barcelonës do të vendoset ose nga Paul Pogba, ose nga Lionel Messi.

Kampionia në fuqi e La Ligës, Barcelona, do ta vizitojë Old Trafford të mërkurën për ndeshjen e parë në kuadër të çerekfinaleve të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve. Ndeshja kthyese në Camp Nou do të zhvillohet më 16 prill.

Skuadra e Ernesto Valverdes ka qenë në formë tejet mbresëlënëse këtë sezon, e veçanërisht ylli argjentinas, i cili ka arritur t’i shënojë 43 gola dhe t’i asistojë 21 të tjera në vetëm 40 ndeshje të zhvilluara.

Vetë legjenda e Manchester Unitedit, Dwight Yorke, është shprehur se anglezët s’mund ta ndalin Messin, mirëpo Ibrahimovici beson se ndeshja mund të vendoset edhe nga Pogba.

“Dy ekipe të mëdha, dhe klube të mëdha që po luajnë kundër njëri-tjetrit. Dy klube me histori te mrekullueshme dhe do të jetë një ndeshje emocionuese”, ka thënë sulmues suedez.

“Natyrisht, Messi e bën dallimin në çdo ndeshje që luan, kjo nuk është aspak sekret. Mendoj se për Manchester Unitedin, diferencën e bën Pogba. Do të jetë më shumë si betejë mes Messit e Pogbës, edhe pse ky është një sport kolektiv”.

(Kosova Sot)