France Football: Rrugëtimi i Pogbës drejt Real Madridit

  • 09 April 2019 - 15:00
France Football: Rrugëtimi i Pogbës drejt Real Madridit

Njëra prej temave më të përfolura këtë verë pritet të jetë mundësia e transferimit të mesfushorit të Manchester Unitedit, Paul Pogbës, në Real Madrid. Tani, revista prestigjioze France Football shkruan se fituesi i Kupës së Botës do të përfundojë në Santiago Bernabeu.

Real Madridi është gjithmonë e më afër arritjes së marrëveshjes për transferimin e Eden Hazardit. Tani, vëmendja e tyre është kthyer te Paul Pogba, pasi që madrilenët pritet të shpenzojnë shumë para këtë verë.

“Pogba: Rrugëtimi për në Real”, shkruhet në ballinën e edicionit të fundit të France Football, e cila do të publikohet të martën.

France Football i ka analizuar motivet që mund ta bindin mesfushorin francez për t’u larguar nga Old Traffordi dhe për të shkuar në kryeqytetin spanjoll.

Revista franceze raporton se përkundër që Pogbës i pëlqen të luajë nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaerit, Real Madridi nuk i është larguar nga mendja, pasi që beson se ky transferim do t’ia rriste gjasat për ta fituar Topin e Artë.

France Football vazhdon duke shkruar se 26-vjeçari beson se është në moshën e përsosur për t’u transferuar në Real Madrid e madje as qëllimi i trajneri Solskjaer për ta ndërtuar skuadrën e Manchester Unitedit rreth tij nuk ia ka ndryshuar mendjen për këtë gjë.

Manchester Unitedi nuk është më forca dominuese që kishte qenë më parë në Angli dhe Pogba nuk është i gatshëm të presë për t’u kthyer edhe një herë ajo kohë.

“Treni me destinacion Madridin nuk do të ndalet për herë të dytë në Mançester, sipas të gjitha gjasave”, shkruan France Football.

Image

(Kosova Sot)