Salah i shpëton kartonit të kuq pas ndërhyrjes së tmerrshme

  • 10 April 2019 - 09:57
Salah i shpëton kartonit të kuq pas ndërhyrjes së tmerrshme

Mohamed Salahu ka qenë edhe një herë në qendër të vëmendjes për incidente kontroverse, pas ndërhyrje së tij tronditëse në ndeshjen e mbrëmshme të Liverpoolit kundër Portos, në Ligën e Kampionëve.

Ylli 26-vjeçar i Liverpoolit, Mohamed Salah, e bëri një ndërhyrje tejet të rrezikshme ndaj Danilo Pereiera të Portos gjatë ndeshjes së mbrëmshme, në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, sulmuesi egjiptian nuk u ndëshkua me karton të kuq, pasi që as gjyqtari e as teknologjia VAR nuk reagoi ndaj kësaj ndërhyrjeje.

Kjo ka bërë që shumë tifozë të futbollit të mbeten të pakënaqur me mënyrën se si po përdoret VAR-i në Ligën e Kampionëve, për shkak të edhe penalltisë që iu dha Manchester Cityt në ndeshjen ndaj Tottenhamit.

Gjatë këtij sezoni, Salahu është kritikuar edhe për simulime brenda zonës së portierit, të cilat rezultonin me penallti. Për shumë tifozë, ndërhyrjet ndaj egjiptianit nuk ishte mjaftueshëm të ashpra për t’u rrëzuar në tokë e për të kërkuar penallti.

Megjithatë, Liverpooli e fitoi ndeshjen e mbrëmshme me rezultat 2:0, përmes dy golave të shënuar në pjesën e parë të ndeshjes, nga Naby Keita në minutën e pestë dhe nga Roberto Firmino në minutën e 26’.

(Kosova Sot)