Vazhdojnë kritikat për VAR-in pas incidenteve në Ligën e Kampionëve

  • 10 April 2019 - 10:39
Vazhdojnë kritikat për VAR-in pas incidenteve në Ligën e Kampionëve

Dy incidente kontroverse në ndeshjet e mbrëmshme çerekfinale të Ligës së Kampionëve nxitën kritika dhe ankesa ndaj mënyrës se si po përdoret teknologjia VAR nga gjyqtarët e UEFA-s.

Fillimisht, në ndeshjen e mbrëmshme mes Manchester Cityt dhe Tottenhamit, në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, gjyqtari ia dha kampionit në fuqi të Premierligës një penallti pas konsultimit me VAR-in.

Mbrojtësi i Tottenhamit, Danny Rose, e kishte ndalur goditjen e Raheem Sterlingut me dorë, por pasi që dora e Rose ishte në një pozitë jo të natyrshme, gjyqtari e akordoi penalltinë edhe pse mbrojtësi kishte qenë shumë afër Sterlingut.

Sulmuesi 30-vjeçar, Sergio Aguero, vendosi ta godasë këtë penallti dhe portieri i Tottenhamit triumfoi në këtë përballje, duke ia mohuar Manchester Cityt golin e parë të ndeshjes.

Në ndeshjen tjetër, ylli 26-vjeçar i Liverpoolit, Mohamed Salah, e bëri një ndërhyrje tejet të rrezikshme ndaj Danilo Pereiera të Portos gjatë ndeshjes së mbrëmshme, përsëri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, sulmuesi egjiptian nuk u ndëshkua me karton të kuq, pasi që as gjyqtari e as teknologjia VAR nuk reagoi ndaj kësaj ndërhyrjeje. Këto dy incidente ngjallën kritika ndaj VAR-it sërish.

“Para VAR-it: “Gjyqtarët nuk kanë luajtur kurrë futboll. Si mund t’i marrin ata vendimet e duhura?”, Pas VAR-it: “Njeriu që e shikon atë televizorin në atë dhomë të vogël e të çuditshme nuk ka luajtur kurrë futboll. Si mund ta marrë ai një vendim?”, shkruan llogaria zyrtare e Paddy Power.

“VAR-i nuk duhet të përdoret për këtë gjë. Nuk ishte një gabim i qartë. Drejtësia triumfoi… sipas mendimin tim”, u shpreh Gary Lineker për penalltinë e Manchester Cityt, pasi Aguero gaboi.

“Ata që duan të gjejnë gabime për qëndrueshmëri në VAR i kanë dy shembuj të mrekullueshëm këtu”, shkruan Alex Terrell.

 

 

(Kosova Sot)