Barça synon ta thyejë mallkimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve

  • 10 April 2019 - 17:00
Barça synon ta thyejë mallkimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve

Pasi e fitoi Ligën e Kampionëve në sezonin 2014/15, Barcelona ka dështuar ta kalojë fazën çerekfinale në secilin prej tri edicioneve pasuese, derisa rivali i moçëm i saj, Real Madridi, i ka shkuar deri në fund.

Eliminimet kundër Atletico Madridit, Juventusit dhe Romës pasuan sezonin magjik në të cilin gjiganti katalonas e fitoi tripletën, ndërsa eliminimi i vitit të kaluar ishte veçanërisht i dhimbshëm pasi skuadra e Ernesto Valverdes e çoi dëm një epërsi prej tri golave nga ndeshja e parë, prandaj Barça ka kohë që pret për këtë mundësi shpengimi.

Kundër Manchester Unitedit, Lionel Messi dhe bashkëlojtarët e tij e kanë mundësinë për ta shpaguar shpërdorimin e mundësive në vitet e fundit, duke nisur nga e mërkura mbrëma në ndeshjen e parë në Old Trafford.

Nuk ka shumë stadiume legjendare si ky i gjigantit anglez dhe tifozët e klubit katalonas shpresojnë se superyjet e tyre do t’i përmbushin pritjet.

Edhe Ernesto Valverde shpreson njëlloj pas debaklit që e pësoi në Romë. 

(Kosova Sot)