Reagimi i Pogbas kur pyetet për transferimin e mundshëm në Real Madrid

  • 11 April 2019 - 16:37
Reagimi i Pogbas kur pyetet për transferimin e mundshëm në Real Madrid

“Unë nuk do të përgjigjem për këtë”, kështu është përgjigjur Pogba kur është pyetur nëse do të dëshironte të luante në “El Clasico” si lojtar i Real Madridit kundër Barcelonës.

Diçka po ndodh. Paul Pogba as nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka pohuar transferimin e mundshëm te Real Madridi

Pas humbjes së Manchester United 0-1 në “Old Trafford” nga Barcelona, mesfushori francez u ndal në zonën miks duke analizuar ndeshjen.

“Është gjithmonë mirë të luash kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Javën e ardhshme do të kemi një tjetër përballje”, tha Pogba, i cili më pas u ngacmua nëse do të dëshironte të luante kundër Barçës edhe në “El Claciso”.

“Unë nuk do të përgjigjem për këtë”, tha 25-vjeçari duke qeshur për mediat spanjolle.

Duket se Pogba është dëshira e madhe e Zinedine Zidane, që ditë më parë tha “Më pëlqen shumë Pogba, e njoh personalisht. Ai është lojtar ndryshe nga të tjerët, kontribuon shumë. Të paktë janë ata që kontribuojnë sikur Pogba. Ai e di si të sulmojë, si të mbrojë. E di çfarë duhet të bëjë në fushë”.

Se diçka po ndodh dhe Pogba mund ta veshë fanellën e bardhë, tregon edhe reagimi i Casemiros, sipas të cilit, Paul Pogba i Manchester Unitedit është i mirëseardhur në Real Madrid.

“Ai është lojtar i klasit botëror dhe mund të luajë në cilido klub. Nëse vjen në Madrid, do të jetë shumë i mirëpritur. Ne e dimë që ai është lojtar i mrekullueshëm”, ka thënë Casemiro.

Pogba është pjesë e Manchester United që nga viti 2016.

Ai ka bërë 128 paraqitje për “Djajtë e Kuq” në të gjitha garat dhe ka shënuar 29 gola. 

(Kosova Sot)