Edhe klubet e Ligës së Parë me probleme

  • 12 April 2019 - 09:48
Edhe klubet e Ligës së Parë me probleme

Feronikeli ose Vëllaznimi do të garojnë në Superligë

Në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll po zhvillohen garat shtesë, ku finalja do të zhvillohet mes Feronikelit dhe Vëllaznimit. Skuadra që triumfon do të inkuadrohet në Superligë, derisa tjetra do të luajë me skuadrën e shtatë të elitës. Por, edhe klubet nga Liga e Parë përballen me probleme, kryesisht financiare dhe organizative

Përveç klubeve të Superligës së basketbollit, edhe ato të Ligës së Parë ballafaqohen me probleme financiare. Derisa në elitën e basketbollit po zhvillohen ndeshjet e fundit të garave të rregullta, në Ligën e Parë është përcaktuar çifti final. Feronikeli dhe Vëllaznimi do të sfidojnë njëri-tjetrin se kush do të inkuadrohet në Superligë. Feronikeli ka eliminuar Istogun në gjysmëfinale, kurse Vëllaznimi ishte më i mirë se Don Bosko.

Feronikeli gjatë garave të rregullta kishte 17 fitore dhe vetëm një humbje, kurse Vëllaznimi 16 fitore dhe dy humbje, duke dëshmuar se me meritë kanë arritur në finale të “Play-off”-it të Ligës së Parë. Tashmë është e sigurt se AFK Borea do të largohet nga Superliga, derisa Lipjani do të jetë në “play-out”.

Edicionin e kaluar Ponte Prizreni dhe Lipjani u inkuadruan nga Liga e Parë në Superligë. Madje, Prizreni po lufton për një vend në katërshen e parë, duke sfiduar rivalin lokal Bashkimi, që edicionin e kaluar fitoi titullin e kampionit, për herë të parë në histori të klubit.

Risi e këndshme për Superligën

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, duke analizuar Ligën e Parë ka thënë se në këtë edicion kishte rivalitet, por jo cilësi. “Liga e Parë e basketbollit këtë stinor po karakterizohet me rivalitet dhe jo me kualitet. Kjo ka bërë që të jetë shumë interesante dhe të ketë shikueshmëri dhe interesim të shtuar.

Do i dalloja tri skuadrat nga Liga e Parë: Feronikeli, Vëllaznimi dhe Don Bosko, që kanë shfaqur një rivalitet gjatë këtij kampionati. Por, sa i ofron cilësi Superligës, skuadra që do të inkuadrohet, kjo mbetet të shihet. Por, mendoj se do të jetë Feronikeli që mund të inkuadrohet, kurse nëse hyn Vëllaznimi, besoj se do të organizohen dhe do të jetë një risi e këndshme e Superligës. Kuqezinjtë edhe më parë kanë qenë pjesë e elitës”, është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

Problemet në këtë ligë

Në Ligën e Parë janë gjithsej 10 skuadra, ku në top-4 përfunduan Feronikeli, Vëllaznimi, Don Bosko dhe Istogu, derisa skuadra e fundit ishte United Basket pa asnjë fitore në 18 xhiro të zhvilluara. Ashtu si Superliga, edhe klubet në këtë rang garash, kanë problem financat. “Problemet janë evidente edhe në Ligën e Parë të basketbollit. Situata financiare që është shumë e brishtë dhe një problem i madh për këto klube, kur dihet se pa buxhet nuk mund të funksionosh.

Mbetet të shpresojmë që ky problem do të tejkalohet dhe do të ketë qëndrueshmëri financiare të klubeve, si të Superligës, ashtu edhe të Ligës së Parë. Sa më e fortë të jetë Liga e Parë, aq më e fortë do të jetë edhe Superliga, sepse skuadra që inkuadrohet do t’i ofronte shumë elitës së basketbollit dhe nuk do të merrte pjesë, vetëm sa për shtuar një numër, por do të ofronte cilësi dhe rivalitet.

Të shpresojmë se me zbatimin e Ligjit për Sponsorizime, do të ndihmohen klubet, si të Superligës, ashtu edhe të Ligës së Parë. Ky ligj mund të jetë shpëtim për këto klube”, ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)